Mungojnë disa të akuzuar dhe mbrojtës, nuk mbahet seanca e sotme në gjykimin ndaj 13 të akuzuarve për shpërlarje të parave dhe vepra tjera penale

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

13:52 / 04 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë– Departamenti Special, sot ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku 13 të akuzuar po gjykohen për disa vepra penale duke përfshirë dhe shpërlarjen e parave, kjo për arsye se munguan disa të akuzuar dhe mbrojtës, raporton Drejtësia Sot.

Në këtë rast për veprat penale “Organizim i skemave piramidale dhe të bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandim i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpërlarja e parave”, akuzohen Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Skender Fetaj, Flakron Maqani, Armend Danqeli, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Nexhat Ejupi, Habil Krasniqi, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Rica.

Nga të pranishmit në sallë, pas vërtetimit të prezencës, u tha se ata që munguan në seancën e sotme, kishin menduar se për shkak të grevës së administratës së gjykatës seanca e sotme nuk do të mbahet.

Ndërsa një avokat dhe një dëshmitarë, kishin kontaktuar gjykatën paraprakisht për të konfirmuar nëse seanca e sotme do të mbahej. Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, theksoi se nuk ka hapsirë për përfundime të tilla, meqë nëse do të kishte ndryshime, gjykata do t’i kishte njoftuar paraprakisht palët. Ndërsa për të akuzuarit që mungojnë do të lëshoj urdhër për sjellje me shoqërim, e nëse ka mungesa të tilla për të njëjtit do të nxjerrë urdhër për caktimin e paraburgimit.

Kjo meqë ky rast është i shënjestruar për liberalizim të vizave dhe seancat do të mbahen. Seancat e radhës janë përcaktuar paraprakisht të mbahen me 7 dhe 8 prill, me fillim në ora 9:30.

Kujtojmë se kjo aktakuzë i ngarkon 11 nga të akuzuarit edhe për veprën penale të shpërlarjes së parave. Sipas këtij akti akuzues, ata duke e ditur, apo duke pasur arsye të dinë se nga manipulimi i aparateve të lojërave të fatit dhe shmangies së tatimit janë realizuar të ardhura kriminale, këto mjete monetare i kanë paraqitur si të hyra legale në emër të bizneseve me qëllim të fshehjes apo maskimit të prejardhjes kriminale të këtyre pasurive.

Aktakuza pretendon se shuma e shpërlarjes së parave arrin vlerën mbi 10 milionë euro. Ne këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci, të cilët kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar nga gjykata. Edmond Jakupi për veprën penale shmangie nga tatimi sipas nenit 313 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është dënuar me 1000 euro gjobë dhe një vit burgim me kusht.

Përveç kësaj, i njëjti është detyruar që të paguajë tatimin e shmangur pranë Administratës Tatimore të Kosovë (ATK) në shumën 8,268.60 euro. Gjyqtarja Suzana Çerkini, gjithashtu ka urdhëruar konfiskimin e aparateve të cilat ishin sekuestruara nga biznesi i të akuzuarit Jakupi. Ndërsa, Tahir Bërbatovci, për të njëjtën vepër penale u dënua me 1500 euro gjobë dhe një vit burgim me kusht. Bërbatovci po ashtu u detyrua të paguajë tatimin e shmangur pranë ATK në shumën sipas marrëveshjes që ka bërë paraprakisht me këtë institucionit. Gjyqtarja Çerkini ,kishte njoftuar të akuzuarit se nëse nuk realizojnë obligimet brenda afateve ligjore dhe sipas kushtit që të mos kryejnë vepër të re penale brenda një viti, kushti do të hiqet dhe do t’u zëvendësohet me burg.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Kujtim Kastrati