Mbrojtja kërkon përjashtimin e Prokurores Speciale, në rigjykimin ndaj ish-inspektorëve të Prishtinës të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

11:24 / 03 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Seanca e rigjykimit në çështjen penale ku personat me iniciale I.H., S.C., V.A., dhe M.Sh., po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është ndërprerë sot pranë Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës, raporton Drejtësia Sot.

Seanca e sotme e udhëhequr nga gjyqtarja Suzana Çerkini,  së pari filloi më një vonesë prej më shumë se gjysëm ore, e vonesë kjo që fare nuk u arsyetuar nga trupi gjykues.

E për të vazhduar më pas me deklarimin e mbrojtëseve sa i përketë emailes zyrtare që kishin pranuar nga gjykata në lidhje me listën e precizuar të Prokurorisë Speciale sa i përketë dëshmitarëve të propozuar për tu dëgjuar.

Ku lidhur për këtë mbrojtja njëzëri ka deklaruar se dëshirojnë që çdo dëshmitar i propozuar nga PRKS të dëgjohet, e jo vetëm të konsiderohen të lexuara deklaratat e tyre ashtu siç propozoj kryetarja e trupit gjykues.

Tutje, pa vazhduar me dëgjimin e dëshmitareve që ishin të pranishëm në sallë, mbrojtja ka propozuar se pasi që të njëjtit nuk ishin në dijeni se cilët dëshmitarë do të dëgjohen dhe si do të procedohet tutje,  të mos vazhdohet me dëgjimin e dëshmitareve pasi që nuk ishin të përgatitur.

Por propozim ky u refuzuar nga trupi gjykues me arsyetimin se sipas tyre, mbrojtja ishte e njoftuar sipas emailit se cilët ishin të planifikuar për tu dëgjuar për ditën e sotme.

Kurse Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, para fillimi të marrjes në pyetje të dëshmitares Q.L., ka theksuar se avokatët mbrojtës nuk po sillen ashtu siç duhet, pra në pajtim me kodin e etikës, pasi që vazhdimisht po qeshin, e kjo çështje nuk është fare për tu qeshur, dhe nuk po vepronin fare me etik.

E këto deklarime të Prokurores Speciale, mbrojtja i ka konsideruar si ofendime, andaj njëzëri kanë kërkuar përjashtimin e prokurores në këtë çështje. Pasi që e njëjta i ka ofenduar rënd, dhe se të njëjtin po qeshin, e sa i përkete të qeshurës, nuk jemi as në kish e as në xhami ka theksuar mbrojtësi av. Ramiz Krasniqi.

Andaj trupi gjykues e ka ndërprerë seance, dhe ketë çështje do ta adresojnë në zyrën e Prokurorisë Speciale dhe varësisht nga përgjigja e tyre do të procedohet më tutje.

Kujtojmë se  aktakuza bazë ka ngarkuar një numër të madh të të akuzuarve çështja penale për të cilët ka përfunduar, Prokurorja Speciale Drita Hajdari sot në seancë dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar e cila përfshinë vetëm këta katër të akuzuar për të cilin çështja është kthyer në rigjykim. Prokurorja Hajdari elaboroi në pika të shkurtra ndryshime mirëpo mbrojtësit e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit nuk ishin në gjendje të deklarohen për një aktzkuzë të sapo pranuar duke kërkuar kohë për studimin e së njëjtës.

Theksojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim shkallës së parë çështjen ku 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, akuzohen për keqpërdorim te detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve. Kolegji i kësaj gjykatë në përbërje prej gjyqtarëve Agim Maliqi, Valdete Daka dhe Mejreme Memaj ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të dënuarve I.H., S.C, V.A., dhe M.Sh, duke kthyer kështu cështjen penale në rigjykim dhe rivendosje shkallës së parë vetëm sa i përket veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Ndërkaq që refuzoi si të pabazuar ankesën e ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Q.P., i cili nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” u dënua me gjobë në vlerë prej 18 mijë euro.

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit kishte liruar nga akuza B.S., V.A., B.I., A.M., A.A., M.Sh., G.C., dhe D.R., për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërkaq, që kjo gjykatë kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj të akuzuarve I.H., dhe S.C., ku kolegji kishte arritur në përfundim se ankesat e tyre ishin të pabazuara, pasiqë në veprimet e tyre provohen tiparet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe posedimi i paautorizuar i armëve. Poashtu, kjo gjykatë ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarve V.A., për pikën 1.2 dhe 1.10, pikën 1.4 për të akuzuarin M.Sh., dhe pikën IV të dispozitivit të aktgjykimit për të akuzuarin Q.P.

Ndryshe Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë në nëntor të vitit 2020, kishte shpallur fajtor për të dytën herë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, I.H., S.C., B.S., B.I., A.M., A.A., M.Sh., G.C., V.A., dhe D.R., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të akuzuarit I.H., iu shqiptua dënim më 2 vite burgim, të akuzuarit S.C. 1 it burgim, të cilëve do të iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërkaq, për të njëjtën vepër B.S., B.I., A.M., M.Sh., G.C., dhe D.R., iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje pre gjashtë muajsh me mundësi të zëvendësimit të dënimit me gjobë. B.S., B.I., dhe V.A., dënimin me burgim me pëlqimin e tyre mund të zëvendësojnë me gjobë në vlerë prej 12 mijë euro. Poashtu, edhe A.A., M.Sh., dhe D.R., dënimin me burgim mund ta zëvendësojnë me gjobë në vlerë prej 10 mijë euro. Ndërkaq, të akuzuarit A.M., dhe G.C., me pëlqimin e tyre dënimin me burgim mund ta zëvendësojnë me gjobë në vlerë prej 8 mijë euro. I.H., dhe S.C., nga kjo gjykatë u shpallën fajtor edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe u dënuan me gjobë në vlerë prej 1 mijë euro secili veç e veç.

Kurse, i akuzuari Q.P., u shpall fajtor për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe u dënua me gjobë në vlerë prej 18 mijë euro.

Të akuzuarve I.H., dhe S.C., iu janë konfiskuar automjete, pistoletat dhe shuma të ndryshme parash që janë fituar si rezultat i kryerjes së veprës penale. Ndërkaq, të akuzuarit M.Sh., iu është konfiskuar banesa e fituar si rezultat i kryerjes së veprës penale.

Kujtojmë se në shqyrtimin e parë gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i kishte shpallur fajtor dhe iu ka shqiptuar dënim me burgim. Për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare I.H., u dënua me dënim me burgim prej 3 vite e 6 muaj, S.C., 2 vite e 6 muaj, B.S., V.A., B.I. dhe M.Sh., 2 vite, D.R. dhe A.A., 1 vit e 6 muaj dhe A.M., e G.C., 1 vit. Të akuzuarit I.H. dhe S.C., poashtu u dënuan edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje ku secili veç e veç iu shqiptua dënim me gjobë në vlerë prej 1000 euro. Ndërsa, Q.P., i akuzuar për veprën penale falsifikim i dokumenteve është dënuar me gjobë në vlerë prej 20 mijë euro.

Gjykata e Apelit e Kosovës pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtëseve të të akuzuarve, kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim për shkak se ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas aktakuzës të cilën e përfaqëson prokurorja speciale Drita Hajdari, i akuzuari I.H. shef i Sektorit të Inspekcionit për Ndërtim, S.C. zyrtar për përmbarim, ndërsa B.S., V.A., B.I., A.M., A.A., M.Sh., G.C., dhe D.R. inspektor të ndërtimit në Komunën e Prishtinës gjatë periudhës kohore 2010-2014 nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Gjithmonë sipas aktakuzës të akuzuarit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e objekteve të investitorëve I.S., nga kompania “Hysi Group”, Y.V., “Naki Trade”, A.K., “Al Petrol”, B.P., “Tregtia”, Sh.R., “Euro Abi”, A.R., “Reforma”, B.G., “VG Construction” dhe F.M., kompania“ART Group”.

Kurse, i akuzuari Q.P., pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që pretendohet se ai ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit si dokument origjinal.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Elvira Rrahmani