Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e Kryesuesit Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 210-të më radhë, raporton Drejtësia Sot.
Në këtë takim, 10 nga 11 anëtarë prezent kanë votuar për propozimet që konceptdokumentet dhe intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të publikohen në ueb portalin e KPK-së dhe në media.
Këtij vendimi të Këshillit i ka paraprirë një debat mes anëtarëve, ku fillimisht u propozua që për publikimin e konceptdokumenteve të merret pëlqimi i kandidatëve ndërsa për publikimin e intervistave, anëtarët u pajtuan që kjo fazë të mos transmetohet drejtpërdrejt por e njëjta të publikohet pas përfundimit të procesit të poentimit të kandidatëve.
Mirëpo, pavarësisht kundërshtimit nga ana e anëtarit të KPK-së, prokurorit Ardian Hajdari, që konceptdokumentet e kandidatëve të publikohen me aprovimin e tyre, anëtarët e tjerë u pajtuan që një gjë e tillë të bëhet pa këtë aprovim pasi që qëllimi është që publiku i gjerë të shoh vizionin dhe misionin e paraqitur për Institucionin e Prokurorit të Shtetit, nga secili kandidat që potencialisht mund të jetë Kryeprokuror i Shtetit.
Nga ana e Kryesuesit Jetish Maloku dhe e Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, u theksua se një vendim i tillë është një hap tjetër i rëndësishëm që KPK ndërmerr në rritjen e transparencës dhe besimit të publikut karshi veprimtarisë së sistemit prokurorial, me theks të veçantë procesit të zgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Gjithashtu, u bë e ditur se faza e intervistimit të pesë kandidatëve do të zhvillohet të premten, 18 mars 2022, dhe e njëjta do të monitorohet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile.
Kujtojmë që fillimisht, më datë 15 shkurt 2022, KPK kishte konfirmuar listën me gjashtë kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën bënin pjesë Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj, prokurorët Armend Hamiti, Arben Ismajli, Lulzim Sulejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.
Mirëpo, pas pranimit të opinionit nga Agjencia Kundër Korrupsionit, kandidati Arben Ismajli ishte tërheq nga gara për shkak se zgjedhja eventuale e tij në këtë pozitë do të përbënte konflikt interesi bazuar në nenin 18 të Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Në këtë dispozitë ligjore parashihet që “Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese…”, ndërsa z. Ismajli ishte në pozitën e anëtarit të KPK-së deri në dhjetor të vitit 2020.
Tutje, në mbledhjen e sotme të KPK-së, anëtarët kanë aprovuar procesverbalet nga takimet numër 206, 207 dhe 209 të këtij institucioni, e më pas kanë vazhduar me shqyrtimin dhe miratimin e raportit vjetor të punës së KPK-së për vitin 2021.
Sipas këtij raporti, Prokurori i Shtetit, gjatë vitit të kaluar ka pranuar 51.673 kallëzime penale për vepra penale të natyrave të ndryshme, ndërsa kanë arritur të zgjidhin 50.118 lëndë, që nënkupton shkallën e efikasitetit prej 97%. Këtu u theksua edhe suksesi i Departamentit të Krimeve të Rënda në kuadër të prokurorive themelore, i cili ka zgjidhur mbi 100% të lëndëve në raport me numrin e lëndëve të pranuara gjatë vitit 2021.
Sipas Kryeprokurorit Lumezi, në vitin e kaluar janë shenjëstruar 10 raste të reja të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke bërë që aktualisht në total të jenë 80 raste të shenjëstruara.
Tutje, Lumezi tha se Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2021, ka ngritur 10 aktakuza për rastet e shenjëstruara, janë të sekuestruara pasuri në vlerë mbi 14 milion euro, ndërsa me vendim përfundimtar të gjykatës janë konfiskuar pasuri në vlerë mbi 700 mijë euro.
Mbledhja e sotme e KPK-së ka vazhduar me caktimin e anëtarëve të grupit punues për mbikëqyrjen e Planit Strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024, në të cilin do të bëjnë pjesë Arijana Shajkoci, Besim Kelmendi dhe Margarita Gjocaj.
Po ashtu, KPK sot ka aprovuar kërkesat e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, për shpalljen e konkurseve për avancim e një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda për secilën nga këto prokurori. Këto konkurse do të jenë të hapura nga data 21 mars deri më 4 prill 2022.
Pa praninë e mediave dhe publikut, KPK kishte në shqyrtim këto pika të rendit të ditës: Raporti për vlerësimin e performancës së dymbëdhjetë (12) prokurorëve me mandat fillestar, KVPP-356/2022; Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për rastin disiplinor AD.nr.09/2021; Raporti i Panelit Hetimor AD.nr.30/2021 ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë; Marrëveshje vullnetare për shkeljen e supozuar disiplinore për rastin AD.nr.21/2021; Themelimi i Panelit Hetimor AD.nr.03/2022 për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe Themelimi i Panelit Hetimor AD.nr.02/22 për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë; dhe Njoftim lidhur me arritjen e moshës së pensionimit të një (1) prokurori.
Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për takimet e KPK-së, link:
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus