KGJK kërkon ndërprerjen e grevës nga ana e punonjësve të administratës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

16:27 / 10 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 280-të me radhë, ku si pikë të veçantë ka diskutuar situatën e krijuar në sistemin gjyqësor si pasojë e grevës së një pjese të punonjësve të administratës, raporton Drejtësia Sot.

Kryesuesi Albert Zogaj i informoi anëtarët e Këshillit për aktivitetet e ndërmarra me qëllim të ofrimit të mbështetjes së administratës, përfshirë: takimet e përbashkëta me Këshillin Grevist të Pallatit të Drejtësisë; takimet me Kryesinë e Sindikatës së Judikaturës; takimet e përbashkëta me Kryesuesin e KPK, përfaqësuesit e Sindikatës dhe me Ministren e Drejtësisë; shkresën-komentet e përbashkëta me Këshillin Prokurorial të dërguara në lidhje me draft Ligjin për pagat ku janë adresuar shqetësimet e Këshillave dhe të punonjësve të administratës etj.  

Pas diskutimeve, KGJK përsëriti gatishmërinë dhe përkushtimin për të mbështetur kërkesat legjitime të punonjësve të administratës, por kërkoi që greva të ndërpritet dhe t’i jepet hapësirë institucioneve për realizim të kërkesave.

“Punonjësit nuk duhet të heqin dorë nga kërkesat deri në realizimin e plotë, por greva është veprim sindikal nga veprimet e fundit që duhet të ndërmerret, aq më tepër që po mbahet në rrethana të jashtëzakonshme siç është pandemia COVID-19, që ndërlidhet me nenin 15 (1,2) të Ligjit për Greva”, thuhet në komunikatën për media të publikuar nga KGJK.

Gjithashtu, Këshilli kërkoi nga Sekretariati që menjëherë të koordinohen me menaxhmentin e gjykatave dhe bashkërisht të përcaktojnë se cilat janë punët esenciale, të cilat, bazuar në Ligjin për Greva, duhet të kryhen edhe gjatë mbajtjes së grevës.

Ndryshe, takimi i sotëm i KGJK-së ka filluar me raportimin e Komisionerit për mbikëqyrjen e procesit të përgjimeve dhe komunikimeve, gjyqtari Agim Maliqi, me ç’rast u diskutuan punët dhe sfidat që ka hasur komisioneri në përmbushjen e misionit të tij gjatë vitin 2021.

Tutje, udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit, gjyqtari Vaton Durguti dhe Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë, gjyqtari Valon Kurtaj, shfletuan para anëtarëve të Këshillit raportin e punës të këtyre departamenteve si dhe diskutuan rreth punës së përgjithshme dhe sfidave me të cilat përballen.

Në këtë takim, anëtarët e KGJK-së,  në bazë të raportit të Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistim, aprovuan avancimin e dy (2) gjyqtareve: Branka Semenov dhe Lidija Vucurovic, në pozitën gjyqtare në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë. Mandati i gjyqtareve në fjalë do të fillojë nga data 1 prill 2022.

Në këtë konkurs fillimisht kishin aplikuar 4 kandidatë, mirëpo njëri ishte tërhequr nga gara para intervistimit ndërsa, në fazën e intervistës ishin kandidatet Semenov dhe Vucurovic, si dhe kandidati Sinisha Mandushiq.

Ky i fundit nuk ishte rekomanduar për t’u avancuar dhe i njëjti kishte deklaruar se nuk do të ushtrojë ankesë ndaj raportit vlerësues të Komisionit Intervistues.

Takimi ka vazhduar me raportimin e Shefit të Zyrës për Teknologji Informative në Sekretariatin e KGJK-së, Fatmir Rexhepi, lidhur me zbatimin e vendimit KGJK.nr.424/2021 nga gjykatat, lidhur me dërgimin e ankesave në procedurë paraprake penale në Gjykatën e Apelit përmes Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL).

Anëtarët e Këshillit aprovuan Planin dhe Programin Vjetor të punës së Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili paraqet planet dhe programin e punës për vitin 2022, duke u fokusuar në caktimin e kolegjeve gjyqësore dhe punën e gjykatës rreth unifikimit të praktikës gjyqësore.

Këshilli miratoi edhe ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore në Gjakovë për vitin 2022, me numër AGJ.I.nr.51/2022.

Më pas, u miratua Strategjia e Komunikimit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës 2022 – 2024, dhe Plani i saj i Veprimit, që kanë për synim rritjen e besimit dhe mirëkuptimit të publikut, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për reformat në gjyqësor si dhe përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm.

Lidhur me këtë dokument, GLPS/Drejtësia Sot me kohë ka dërguar komente dhe rekomandime përmes së cilave ka synuar që ky dokument të jetë sa më profesional dhe që përmes tij të rritet besueshmëria dhe ndërgjegjësimi i publikut në veprimtarinë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, u aprovua Udhëzuesi themelor i referimit për trupat para-hetuese dhe hetuese në kryerjen e hetimeve ne çështjet disiplinore gjyqësore, i cili ka për qëllim të jetë mjet praktik për përdorim nga Autoritetet Kompetente dhe Panelet Hetimore, të themeluara nga KGJK, për kryerjen e hetimeve në çështjet disiplinore gjyqësore.

Anëtarët e KGJK-së votuan sot edhe për emërimin e gjyqtares Valbona Musliu – Selimaj nga Gjykata Themelore Prishtinë, në pozitën anëtare e Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave themelore.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me një (1) pikë të mbyllur për themelimin e panelit për një (1) rast disiplinor, me ç’rast vendosi për suspendim me pagesë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Y.Sh.

Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi për takimet e KGJK-së, link: