Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami të cilët akuzohen se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal i cili kishte për qëllim përfitimin e drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, raporton Drejtësia Sot.
Pasi që nga seanca e kaluar ishte mbetur në gjysëm me pyetjet e saj Prokurorja Speciale, Merita Bina Rugova, sot ka vazhduar me marrjen në pyetje në mënyrë të tërthortë për të akuzuarin Bashota, i cili në shumicën e pyetjeve të saj ka mohuar konstatimet dhe ballafaqimet e bëra.
Po ashtu i njëjti ka theksuar se asnjëherë nuk kishe marrë të holla për qiranë e objekteve në fjalë nga S.B e as nga K.T. Ndërsa aq sa kishte dijeni i njëjti, objektet në tokën në fjalë i kishte ndërtuar i dëmtuari M.T. Tutje i akuzuari Bashota ka deklaruar se tokën e kishte blerë nga ish pronari Marko Mitroviq në vlerën prej 3 milionë e 500 mijë marka, por pagesën e së njëjtës e kishte bërë në vitet 2003 dhe 2004, dhe atë në dy rata, por e kishin konvertuar valutën marka në euro, e andaj shuma e përgjithshme në euro për parcelën në fjalë ishte 1 milion e 750 mijë euro.
Por duke shtuar se familja e tij posedon tani vetëm 4 hektarë nga toka që është objekt i akuzës, ku 2 hektarë janë në emër të vëllait të tij dhe 2 hektarë të tjerë janë në emër të bashkëshortes së tij.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca është ndërprerë nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, e duke caktuar datën 29 mars 2022, nga ora 09:30 për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Kujtojmë se kjo çështje penale është kthyer në rigjykim ngase Gjykata e Apelit me vendimin e datës 12.12.2019, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e anuluar kështu vendimin e shkallës së parë e duke kthyer kështu çështjen penale në rigjykim.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR.nr.458/16, të datës 06.05.2019, të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami janë shpallur fajtor për veprën penale Detyrim në bashkim kriminal duke u dënuar kështu, i pandehuri Bashota me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vite, i pandehuri Osman Bajrami me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 6 muaj dhe i pandehuri Sylejman Bajrami me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite.
Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e prokurores Merita Bina Rugova, të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, në bashkëkryerje me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri – ‘Baksi’, si dhe me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, në krye të cilit ka qëndruar i pandehuri Arben Bashota, i cili ka drejtuar veprimet e këtij grupi gjatë periudhës kohore shumëvjeçare kanë kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare.
Në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze theksohet se të pandehurit duke filluar nga vitit 2004, kanë bërë presione të vazhdueshme, direkte dhe indirekte, me intensitet të ndryshëm në të dëmtuarit M.T., K.T., H.Sh., dhe I.O., që të lirojnë pronën e paluajtshme me sipërfaqe 10.12.53 ha e cila gjendet në Fushë Kosovë, të cilën i dëmtuari M.T., e ka marrë në shfrytëzim për 10 vite.
Të dëmtuarit e lartcekur kishin ndërtuar në këtë paluajtshmëri objekte me vlerë të përgjithshme prej më shumë se 5 milion euro.
Tutje në pikën e parë të dispozitivit theksohet se i pandehuri Arben Bashota kishte falsifikuar një Aktgjykim të Gjykatës Komunale në Prishtinë, ku pronar në paluajtshmërinë e lartcekur kishte vendosur personi me inciale M.M., si dhe një autorizim ku personi M.M. e autorizonte të pandehurin Bashota të ndërmarr në emër të tij te gjitha veprimet juridike në lidhje me paluajtshmërinë në fjalë.
Me këto dokumente falso i pandehuri Bashota ka kërkuar regjistrimin e ndryshimeve në kadastër, krejt kjo duke iu bërë presion dhe duke i kërcënuar personat përgjegjës për këtë punë.
Aktakuza në vazhdimësi flet për presionin dhe kërcënimet që të pandehurit iu kanë bërë palëve të dëmtuara, duke i’u ndaluar edhe qasjen fizike në objektet e tyre.
Të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, kishin filluar të disponojnë në tërësi me pronën si pronar të vetëm.
Pika e dytë e aktakuzës i përshinë veprimet inkriminuese të të pandehurve gjatë qershorit të vitit 2010 ndaj të dëmtuarit A.H., në drejtim të ngastrës kadastrale me rreth 15 ari në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë tek vendi i njohur si Jagnella.
Me këto veprime sipas aktakuzës i pandehuri Arben Bashota ka kryer veprën penale ‘Krim i organizuar’ nga neni 274 par.3 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (KPK) lidhur me veprën penale ‘Detyrim’ nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.
Ndërsa të pandehurit e tjerë në bashkëkryerje më tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri kanë kryer veprën penale ‘Krim i organizuar’ nga neni 274 par.1 të KPK lidhur me veprën penale ‘Detyrim’ nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus