Hedhet poshtë kërkesa për përjashtimin e U.D të Kryetarit të Gjykatës së Apelit në rastin ndaj Ivan Todosijevicit

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

16:46 / 11 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Supreme e Kosovës, ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtësit të ish- ministrit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, për përjashtimin e U.D të kryetarit të Gjykatës së Apelit në rastin ku ai po akuzohet për nxitje të urrejtjes, raporton Drejtësia Sot.

Todosijevic po gjykohet se në cilësinë e ministrit në Qeverinë e Kosovës, në një tubim të mbajtur në Zveqan, ka përdor gjuhë të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare duke deklaruar se shqiptarët janë terroristë dhe se masakra e Reçakut ishte trillim.

Todosijeviq ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special për shkak të veprës penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, mirëpo rasti është kthyer në rigjykim.

Në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur të mbajtur në shkurt të këtij viti, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nebojsha Vllaiq kishte theksuar se kjo gjykatë nuk është kompetente për të shqyrtuar këtë lëndë, për faktin se sipas marrëveshjes së Brukselit, në rastet kur vepra penale është kryer në një vend me popullsi shumicë serbe dhe kryesi është serb, lënda duhet gjykuar nga divizioni i Gjykatës së Apelit, i cili gjendet në Mitrovicë.

Avokati Vllaiq kishte thënë se ekziston edhe një arsye tjetër për përjashtimin e këtij kolegji shqyrtues. Sipas tij, në aktgjykimin e shkallës së parë, të cilin e ka hartuar po ky trup gjykues thuhet se nga fjalët e të mbrojturit të tij janë fyer dhe dëmtuar e gjithë popullsia shqiptare, andaj asnjë gjyqtarë i nacionalitetit shqiptarë nuk duhet të gjykojë këtë lëndë sepse konsiderohet si palë e dëmtuar.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, të datës 1 mars 2022, të cilin e ka siguruar Drejtësia Sot, thuhet se kërkesa e avokatit të Todosijevicit për përjashtimin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit hedhet si e papranueshme.

Në këtë vendim thuhet se kërkesa është e papranueshme për faktin se është në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë këtë fushë. Më tutje thuhet se sipas nenit 41 par.4 të Kodit të Procedurës Penale, pala mund të kërkojë përjashtimin vetëm të gjyqtarit që trajton çështjen, kurse në rastin konkret pala ka kërkuar përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve shqiptarë të shkallës së parë dhe Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu në vendim përmendet se par.5 i nenit 41 të Kodit të Procedurës Penale, ka paraparë se pala duhet që në kërkesë të paraqes rrethanat me të cilat mbështet pretendimin për ekzistimin e bazës ligjore për përjashtimin e gjyqtarit.

Vendimi i Supremes potencon se kryetari i Gjykatës së Apelit nuk është gjyqtar i çështjes dhe nuk ka ndonjë kompetencë në këtë drejtim, si dhe rrethanat e paraqitura në kërkesën për përjashtim janë të përgjithshme, e që u janë referuar të gjithë gjyqtarëve të trupit gjykues në shkallë të parë, kryetarit të kësaj gjykate, kryetarit të Gjykatës së Apelit, e për të cilat është vendosur njëherë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, thuhet se i akuzuari në cilësinë e ministrit të MAPL në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim kombëtar, racor dhe etnik midis grupeve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Më tutje aktakuza sqaron se më datë 24.03.2019, në një tubim kundër interventimit të NATO-s të mbajtur në Zveqan, i pandehuri në cilësinë e folësit dhe pjesëmarrësit, ka thënë se arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura “katastrofë humanitare” në Kosovë e Metohi, se masakra e Reçakut ishte trillim dhe se terroristët shqiptarë janë ata që trilluan gjithë këtë.

Me këtë, të akuzuarit i ngarkohet vepra penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”.

Ndryshe, Ivan Todosijevic, ishte ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast në vazhdimësi Rigjyimi ndaj ish-ministrit Ivan Todosijevic, mbrojtja sërish kërkon përjashtimin e gjyqtarëve shqiptarë – Drejtësia Sot (rolpik.org)

Monitoruar nga Rinon Arifi