Gjykata Supreme konfirmon vendimin disiplinor ndaj prokurores Shemsije Asllani

Gjykata Supreme e Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

12:54 / 08 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e prokurores Shemsije Asllanin, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndaj vendimit disiplinor të Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), raporton Drejtësia Sot.

Sipas aktgjykimit të datës 25 shkurt 2022, ndaj prokurores Asllani është vërtetuar sanksioni disiplinor “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm”, të cilin e kishte shqiptuar KPK më datë 12 janar 2022.

Procedura disiplinore ndaj prokurores Asllani kishte filluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali Shqip.com,  të quajtura Dosja “Inteligjenca e zhvatjes”, me titull: “Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plotë dritëhije”.

Sipas këtij publikimi është dëgjuar një bisedë telefonike e realizuar nga prokurorja Sh. A., me një person të panjohur, N.N. Nga ajo bisedë dëgjohet se bëhet fjalë për një veturë të cilën telefonuesi thotë se ia kanë konfiskuar pa të drejtë, dhe se përgjegjës e bënë Kryeprokurorin e Shtetit.

Rasti i tillë penal ku e njëjta veturë ishte konfiskuar nuk ka qenë tek subjekti hetimor por ka qenë në trajtim tek Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, z. Sh. K. Për më tej në atë bisedë telefonike dëgjohet qartë fakti se prokurorja A., tregon që ka ndikim të madh brenda sistemit prokurorial dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

Në bisedën e përgjuar kuptohet se, prokurorja vullnetarisht ka pranuar të flasë me personin NN. Përmes asaj bisede rezulton se personi i panjohur pretendon se di gjëra sekrete për prokuroren A., dhe i shfrytëzon të njëjtat për ta bindur prokuroren në fjalë që t’i ndihmoj në rastin e tij, gjë e cila arrihet pasi që prokurorja A., vazhdon bisedën dhe i premton personit N.N, që do të interesohet dhe aq sa mundet do të ndikoj në lidhje me rastin e tij.

Pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit, Këshilli konstatoj se prokurorja Sh. A., ishte përfshirë në bisedat e regjistruara telefonike me bashkëbiseduesin N.N, biseda këto të publikuara në portalin shqip.com, dhe në gazeta dhe portale tjera.

Po ashtu, Këshilli ka vlerësuar se komunikimi i prokurores me personin N.N në këtë çështje disiplinore i konsumon të gjitha elementet e shkeljes disiplinore për të cilën është shqiptuar masa disiplinore, Andaj, për rastin e vërtetuar me shkelje serioze, sanksioni disiplinor “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në M., në Departamentin e Përgjithshëm”, është në përputhje me shkeljet e gjetura si në Raportin e Panelit Hetimor, sanksioni i cili do të ketë efekt pozitiv mbi vet prokuroren Asllani që në të ardhmen të veproj konform rregullave të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokuror.

Këshilli ka vlerësuar se sjellja e prokurores Sh. A., përbën shkelje nga neni 6. paragrafi 2 nën paragrafi 2.10, të Ligjit 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sepse veprimet e saj cilësohen si ndërhyrje në veprimet procedurale të rregullta dhe rrjedhimisht e ka dëmtuar reputacionin e Prokurorisë dhe ka dëmtuar besimin e publikut në besueshmërinë e këtij organi.

KPK ka konstatuar se me veprimet e prokurores A., sidomos pas publikimit të përgjimeve është dëmtuar rëndë reputacioni i figurës së prokurorit dhe gjithashtu është dëmtuar rëndë imazhi i sistemit prokurorial.

Nga veprimet e prokurores janë cenuar parimet bazë të funksionimit të sistemit prokurorial dhe përgjegjësisë që ka për të promovuar vlerat e trajtimit të barabartë të qytetarëve para ligjit dhe para gjykatës, si dhe vlerat që publiku të besoj në ndjekje të paanshme, thuhet me tej në vendimin e KPK-së.

Ndaj këtij vendimi, prokurorja si subjekt i hetimit disiplinor, përmes të autorizuarit, avokat Artan Qerkini, në afat ka paraqitur ankesë, për shkak të shkeljeve të drejtave procedurale të subjektit në procedurë, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe cenimit të së drejtës në mbrojtje, duke kërkuar që Gjykata Supreme e Kosovës ta pranojë ankesën, ta anulojë Vendimin e KPK-së nr.175/2022, të datës 12.01.2022, dhe prokuroren Sh. A., ta liroi nga përgjegjësia disiplinore ose lëndën ta kthej në rivendosje në KPK.

Gjykata Supreme e Kosovës, gjatë administrimit të provave dhe ankesës së prokurores Asllani, ka konstatuar se ankesa është e pabazuar dhe se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës, është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që ai është marrë me zbatimin e drejtë të së drejtës materiale kur është vërtetuar përgjegjësia disiplinore e prokurores Sh. A. për shkeljen e Kodit të Etikës, konkretisht nenit 6, paragrafi 2 pika 2.10 i të Ligjit Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe vendimi përkitazi me masën e shqiptuar disiplinore të marrë për këto shkelje në pajtim me nenin 7, paragrafi 1, pika 1.4, është adekuate dhe proporcionale.

Kujtojmë që lidhur me rastin e njohur në publik si “Audio-incizimet” të publikuar në portalin Shqip.com, ishte iniciuar procedurë disiplinore edhe ndaj Driton Muharremit, ish-gjyqtar i Gjykatës së Apelit dhe ish-anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Më këtë rast, z. Muharremi fillimisht kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit të KGJK-së, e më pas, disa ditë para se të bëhej i plotfuqishëm vendimi disiplinor i transferimit të përhershëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, i njëjti kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme edhe nga pozita e gjyqtarit.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë çështje, link: https://www.rolpik.org/driton-muharremi-jep-doreheqje-te-parevokueshme-edhe-nga-pozita-e-gjyqtarit/

Monitorues Liridon Salihi