Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e ish-drejtorit të urbanizmit në Prizren

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

11:32 / 23 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata e Apelit ka vendosur që lënda ku akuzohet ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit Nijazi Kryeziu, të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Drejtësia Sot, njofton se aktgjykimi i themelores i marrë në shtator të vitit të kaluar është anuluar nga shkalla e dytë, kurse në këtë çështje është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Në arsyetimin e vendimit të marrë më 3 mars të këtij viti, Gjykata e Apelit vlerëson se aktgjykimi Gjykatës së Prizrenit është i paqëndrueshëm dhe i njëjti është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.8 dhe 12 të KPPRK-së.

Tutje, sipas këtij vendimi thuhet se në këtë çësthje juridiko penale nuk është vërtetuar as gjendja faktike në mënyrë të drejtë dhe të plotë, për çka rezulton në kontradikta të konsiderueshme përkitazi me faktet vendimtare dhe arsyet e paraqitura në arsyetim.

Ndër të tjera, në këtë vendim thuhet se arsyetimi i aktgjykimit është konfuz, i paqartë dhe dhe juridikisht i paqëndrueshëm, për faktin se aktgjykimi i ankimuar përkitazi me faktet ka mbështetje në prova të papranushme.

Krejt në fund të vendimit, thuhet se duke pasur parasysh të lartcekurat konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari nuk ka kryer vepër penale, nga Gjykata e Apelit nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe i ligjshëm.

Në aktakuzë, thuhet se i akuzuari Nijazi Kryeziu, në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015,në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e  Prizrenit,  duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj.

Më tutje, aktakuza sqaron se i akuzuari duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit.

Drejtësia Sot, në vazhdimësi ka raportuar për rrjedhën e këtij rasti gjyqësor:

Monitorues: Lorik KABASHI