Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot filloi rishtaz gjykimi ndaj Haxhi Haskaj i akuzuar për përvetësim në detyrë, raporton Drejtësia Sot.
I pandehuri Haxhi Haskaj akuzohet se ka përvetësuar në detyrë në kohën kur ishte duke punuar si gjeodet pranë Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, duke keqpërdorur autorizimin e një pronari të tokës në atë mënyrë që kishte shitur parcelat e tokës dhe fitimin e kishte ndalur për vete.
Pasi që ky rast ka filluar të gjykohet nga trupi i ri gjyqësor, tani i përbërë nga Mehdije Bytyqi kryetare, Naime Jashanica dhe Agim Kuqi anëtarë, gjykimi ka filluar rishtazi.
Mirëpo, mos prezenca e avokatit mbrojtës të të akuzuarit bëri që trupi gjykues të caktojë datën 29 Mars 2022 në ora 9:00 për mbajtjen e seancës së radhës.
Ndryshe, sipas aktakuzës i pandehhuri Haxhi Haskaj, ish-gjeodet në Komunën e Prishtinës, akuzohet se kishte marrë autorizim nga Millovan Mirosllav Popoviq për të kryer shitblerjen e një ngastre kadastrale, me sipërfaqe prej më shumë se një hektar tokë, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë. Këtë autorizim i pandehuri akuzohet se e ka përdorur edhe pas vdekjes së Mirosllav Popoviq, në kohën kur ishte duke punuar si gjeodet në Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, dhe ka bërë ndarjen fizike të ngastrave për blerësit e tyre.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Haskaj, ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronar të ndryshëm, sipas fletave poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, Popoviq. Duke shitur këto parcela Haxhi Haskaj akuzohet se ka përfituar mbi 315,000 (DM) marka gjermane, të atëhershme, të cilat para nuk ua kishte dhënë familjarëve të të ndjerit Mirosllav, duke i shkaktuar dëmin e lartcekur.
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus