Elaborohet ekspertiza financiare në gjykimin e ish-Drejtorit të Administratës në Prizren

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

14:13 / 03 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Gjykatës Themelore në Prizren, në gjykimin për korrupsion ku po akuzohet ish-Drejtori  Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, është elaboruar ekspertiza financiare.

Drejtësia Sot, raporton se ish-asamblisti komunal në Prizren, Baldedaj, po akuzohet se nga data 15 maj 2015 deri më 29 tetor 2015, në cilësi të Drejtorit të Administratës në Prizren, me rastin e shpërndarjes së 43 laptopëve ndaj asamblistëve të Komunës së Prizrenit, ka keqpërdorë këtë detyrë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej rreth 19,350 euro.

Në këtë seancë është proceduar me dëgjimin e ekspertit financiar Vehbi Imeri, ku sipas tij Komuna e Prizrenit në këtë çështje penale nuk është dëmtuar në aspektin financiar.

Ndër të tjera, eksperti tregoi se vlera e llaptopëve kur është bërë kallëzimi penal për këtë rast ka qenë 19.350 euro, pra një llaptop me çantë 450 euro, mirepo që të njëjtit pas periudhës 2 vjeçare ishin zhvlerësuar në shkallën 100%, për shkak se te njëjtit ishin shfrytezuar nga asambleistët e Komunës Prizrenit.

Po ashtu, në këtë seancë ekspertit ju dha edhe një afat prej 10 ditëve që të jep një konstatimin lidhur me vlerën e tregut të lloptopëve të cilët sipas rregullores – asetet e tilla janë zhvlerësuar.

Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani, vendosi që seanca e sotme të shtyhet ndërsa ajo e radhës është caktuar të mbahet datë 15 prill 2022 duke filluar prej orës 11:00.

Kujtojmë se, Gjykata e Apelit më 14 prill 2021 e kishte kthyer në rigjykim rastin kundër të akuzuarit Baldedaj, duke e anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Ndërsa, më 15 Janar 2021 gjykata e shkallës së parë kishte marrë aktgjykim dënues ndaj Ilir Baldedaj, duke e dënuar të njëjtin me 10 muaj burgim efektiv. Ndryshe, sipas aktakuzës, i pandehuri Ilir Baldedaj prej datës 15.05.2015 e deri me datën 29.10.2015, në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, të përcaktuara me ligj.

Aktakuza përshkruan se,ish-drejtori i Administratës, Baldedaj ,ka vepruar në atë mënyrë që, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, bënë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (Llap top dhe çanta të llap topave) për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh. Ndërsa, në vërtetimin mbi pranimin e llap topave të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore.

Kurse, për 3 llap topa të tjerë, nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350 euro. Drejtësia Sot, në vazhdimësi ka raportuar lidhur me zhvillimin e këtij shqyrtimi gjyqësor

Monitorues: Lorik KABASHI