Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj zyrtarëve policorë kufitarë të cilët dyshohet se kontrabanduan mallëra nga Maqedonia e Veriut, raporton Drejtësia Sot.
Arsye e mos mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor ishte së pari mungesa e të akuzuarit Nexhat Gashi, i cili sipas mbrojtësit të tij ka bërë një operim pasi i njëjti vuan nga diabeti. Kurse edhe i akuzuari Naser Ljamalari së bashku me mbrojtësin e tij nuk kanë prezantuar e as nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre edhe pse ishin të njoftuar në mënyrë të rregullt.
Andaj në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi gjyqësor i paraparë edhe për ditën e nesërme është anuluar, dhe datat 19 dhe 22 prill 2022, me fillim nga ora 09:30, janë caktuar për mbajtjen e seancave të radhës.
Ndryshe, sipas aktakuzës zyrtarët policor Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit dhe Samet Ballazhit dhe 15 personave tjerë, akuzohen se kanë kryer veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore. Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fillim të vitit 2011, kishin themeluar, organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarive kriminale të grupit, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.
Me aktvendimin e datës 05.11.2021 kjo gjykatë për shkak të parashkrimit kishte hedhur pjesërisht aktakuzën ndaj, Kadri Kurtishit dhe Tahir Currit duke pushuar procedurën penale ndaj tyre për veprën penale të kryer veç e veç kalim i pautorizuar i vendkalimit kufitar ose vijës kufitare si dhe ndaj të akuzuarve Nexhat Gashi, Gani Shabani, Agron Krasniqi, Rrahman Ljamalari dhe Januz Ljamalari duke pushuar procedurën penale lidhur me veprën penale të kryer veç e veç shmangie nga tatimi.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga: Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus