Dëshmojnë dëshmitarët në rastin ku ish-drejtori i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës po akuzohet për korrupsion

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Jeta Vula

14:14 / 02 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjakovë, sot janë dëgjuar katër dëshmitar në rastin ku ish-drejtori i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, Benard Frrokaj po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton “Drejtësia Sot”.

Frrokaj, nga ana e Prokurorisë së Gjakovës, po akuzohet se ka bërë transferimin e përhershëm të një mësimdhënëseje pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.

Para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Shaqir Zika, në seancën e sotme së pari ka dëshmuar e dëmtuara në cilësinë e dëshmitares Valbona Kuqi.

Dëshmitarja Kuqi, para trupit gjykues deklaroi se është punësuar si mësimdhënëse zëvendësuese në fshatin Cermjan, të komunës së Gjakovës në vitin 2017. Gjatë deklarimit dëshmitarja sqaroi se kishte parashtruar 2 kërkesa në drejtorinë e Arsimit për sistemim në shkolla tjera në komunën e Gjakovës, por të njëjtit nuk i kishin kthyer përgjigje.

Madje Kuqi, theksoi se ishte takuar edhe me ish drejtorin e drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj, ku në atë takim i njëjti i kishte thënë se nuk do të mbeste pa punë dhe se do ti bëhej transferimi të cilin e njëjta e kishte kërkuar.

Në pyetjen e prokurores Ardita Beqiraj-Hyseni, se a është e vërtetë se i akuzuari i kishte thënë se janë të shitura vendet e punës në shkollat e tjera në Gjakovë, dëshmitarja Valbona Kuqi, deklaroi se po.

Ajo po ashtu deklaroi se e gjithë esenca se për çfarë ishte ankuar e njëjta, ka qenë se ka pasur kontratë të punës në kohë të pacaktuar si dhe me ligj i është dashur të sistemohet në momentin e parë që ka pasur konkurs për mësimdhënës në njërën prej shkollave të komunës së Gjakovës.

Gjithashtu, Valbona Kuqi, shtoi se është favorizuar e punësuara tjetër Varjeta Syla, për tu punësuar në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, pasi që e njëjta ka qenë familjare e shefit të drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, Zymber Berisha.

Pas dëgjimit të dëshmitares së parë, gjykimi vazhdoi me dëshmitarin e dytë Gjergj Gojani. Gojani, para gjykatës deklaroi se është udhëheqës i inspektoratit në komunën e Gjakovës në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

Ai sqaroi se ka pranuar një ankesë të drejtuar nga ana e të dëmtuarës Valbona Kuqi, dhe se të njëjtën e ka shqyrtuar por nuk i ka kthyer një përgjigje. Gojani, deklaroi se pas vitit 2018 me ligjin e ri inspektorati i Arsimit nuk ka qenë kompetent për punësime.

Pas dëgjimit të dëshmitarit të dytë, para trupit gjykues u dëgjua edhe dëshmitari i tretë Zymber Berisha.

Dëshmitari Zymber Berisha, deklaroi se në vitin 2019 ka qenë bashkëpunëtor profesional në kabinetin e kryetarit të komunës Ardian Gjini. Ai tutje theksoi se në vitin 2020, është emëruar si koordinator apo zyrtar i nivelit 0 deri në 5, më pas me konkurs të brendshëm ka kaluar si udhëheqës i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës.

Berisha, gjatë deklarimit të tij, tregoi  se nuk është e vërtetë se ai i ka kërkuar ta tërheq kërkesën të cilën e kishte bërë e dëmtuara Kuqi, lidhur me sistemimin e saj në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë.

Në pyetjen e prokurores Ardita Beqiraj-Hyseni se e a njihte personin Varjeta Syla, i njëjti pohoi se po duke shtuar se është ish kunata e tij. Ai po ashtu citoi se kur i njëjti kishte kaluar në pozitën si udhëheqës i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, zonja Syla dhe Kuçi kanë qenë të punësuara si mësimdhënëse.

Kurse, dëshmitarja e katërt Varjeta Syla, deklaroi se kishte parashtruar kërkesë për sistemim në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë në drejtorinë e Arsimit në komunën e Gjakovës.

Ajo theksoi se kërkesën e parashtruar për sistemim në drejtorinë e Arsimit e kishte dorëzuar tek personat përgjegjës, kërkesë e cila nuk ka qenë e protokolluar.

Syla po ashtu deklaroi se kishte pranuar vendimin për transferim në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë nga ana e drejtorisë së Arsimit në Gjakovë.

Së këndejmi, pas deklarimit të dëshmitarëve, gjykimi vazhdoi me leximin e provave për këtë çështje penale. Tutje, përfaqësuesja e akuzës prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, i propozoi gjykatës që vazhdimi i kësaj seance të shtyhet për një datë tjetër si pasojë e një çështje familjare të cilin e njëjta ka.

Në fund të gjykimit, trupi gjykues i kryesuar nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqir Zika, aprovoi propozimin e prokurores duke njoftuar se seanca e radhës do të mbahet me 23 mars 2022.

Ndryshe, në aktakuzën e ngritur më 21 korrik 2021, sqarohet se si i akuzuari Frrokaj, në kohë të pacaktuar duke vepruar si person zyrtar konkretisht në cilësinë e drejtorit të drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, ka përdorur autorizimet e tij në mënyrë të kundërligjshme.

Kështu, në vazhdim të kësaj aktakuze theksohet se i akuzuari Bernard Frrokaj, i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës Valbona Kuqi, në atë mënyrë që i njëjti ka marrë vendim për transferim të përhershëm të mësimdhënëses Varjeta Syla, në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, duke e favorizuar këtë të fundit pa i përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.

Aktakuza më tutje sqaron se ky vendim i marrë nga ana e të akuzuarit rreth një vit para pensionimit të ish mësimdhënëses me incialet M.X., me të cilin vendim ka shkelur të drejtat e parapara nga kontrata kolektive e arsimit në Kosovë, për të dëmtuarën Valbona Kuqi, e cila kishte ligjëruar si mësimdhënëse zëvendësuese me kontratë të përhershme nga DKA në shkollën e cekur më lartë, e sistemon në vendin e punës të Varjeta Syla, në fshatin Hereq të komunës së Gjakovës. Për këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 parag.1 të KPRK-së.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast:

Monitoruese: Jeta Vula