Deklarohet i pafajshëm Shefi i Ekonomisë së Pyjeve në Viti i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

15:52 / 23 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj shefit të Drejtorisë së Pyjeve në Viti, Kadri Ismajli, në rastin ku po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.

Në fillim të seancës gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi ka njoftuar palët se mungojnë dëshmitarët P.S., dhe S.Sh, për të cilët Stacioni Policor në Gjilan kanë njoftuar se gjenden jashtë Kosovës.

Lidhur me këtë, prokurori Isuf Sadiku i ka propozuar gjykatës që të lexohen deklaratat e këtyre dëshmitarëve me qëllim të efikasitetit dhe ekonomizimit në këtë çështje penale.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Ismajli, avokati Shemsedin Pira e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Sadiku.

Megjithatë, gjyqtari Islam Thaçi ka aprovuar propozimin e prokurorit që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me leximin deklaratave të dëshmitarëve, leximin e shkresave të lëndës, dhe marrjen në pyetje të të akuzuarit Kadri Ismajli, i cili nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

I akuzuari ka vazhduar deklaratën e tij duke thënë se është e vërtetë se S.Sh., i kishte thënë të akuzuarit se e ka gruan e sëmurë dhe nuk po mundet ta dëgjojë zhurmën e motorit, andaj e kishte pyetur të njejtin se a ka të drejtë t’i pres drutë në oborrin e Ekonomisë së Pyjeve.

I akuzuari ka shtuar se P.S., ka gënjyer sepse në vitin 2017 nuk kanë dalur fare drutë prej Ekonomisë së Pyjeve,  e kjo ka ndodhur se ai është recidivist i rregullt i vjedhjeve ilegale të drunjëve në pyjet e pronës publike, dhe se i njëjti 30 herë ka qenë në gjykatë për këto vepra penale, duke mohuar se atij asnjëherë nuk i ka shitur dru i akuzuari.

Në fund i akuzuari Ismajli ka theksuar se ky rast se ka qenë një proces i organizuar dhe i montuar ndaj tij.

Pas deklaratës së dhënë nga i akuzuari, seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të palëve.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Kadri Ismjali do të bëhet me datë 24 mars 2022, në ora 13:00, ka njoftuar gjyqtari Islam Thaçi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Kadri Ismajli, akuzohet se në kohën sa ishte ushtrues detyre si shef i Drejtorisë së Pyjeve në Komunën e Vitisë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që gjatë periudhës kohore dhjetor 2016-janar 2017 u ka shitur dru qytetarëve të Komunës së Vitisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, personit P.S., i ka shitur katër metër dru në vlerë prej 100 euro, kurse A.R., e S.Sh., nga dhjetë metër dru secilit, në vlerë prej 250 eurosh, e të cilët dru Ekonomia e Pyjeve në Viti, i kishte lajmëruar në polici si të vjedhura.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi