Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Stenta 2”, sot është dëgjuar dëshmitari C.Gj., raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e sotme C.Gj., në cilësinë e dëshmitarit, sqaroi procedurat e brendshme në rastet e stentimit, në SHSKUK ku kishte qenë drejtor i përgjithshëm, dhe në Ministrinë e Shëndetësisë ku kishte qenë drejtor i shërbimeve shëndetësore.
Datat e seancave të radhës për këtë shqyrtim paraprakisht ishin caktuar me 12 dhe 15 prill, ndërsa për shkak se njëri nga anëtarët e trupit gjykues do të jetë në udhëtim, ato data u ndryshuan, ashtu që datat e reja u caktuan me 19 prill, 23 dhe 24 maj. Kujtojmë se në këtë rast të akuzuar janë: Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje duke vepruar si persona zyrtar, si mjekë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë.
Të njëjtit me dashje dhe dijeni iu kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave të cilët edhe pse i kishin kryer trajtimet mjekësore, e në disa raste të afërmve për pacientët që kishin vdekur në spitalet private “International Medicine Hospital” IMH, me qëllim që atyre të iu kompensonin shpenzimet nga Ministria e Shëndetësisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën e Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga: Kujtim Kastrati
Lajmet në fokus