Pranë, Gjykatës Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimi kryesor ndaj ish-inspektorit të ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Drejtësia Sot, raporton se ish-inspektori i ndërtimit Musliu, po akuzohet që duke vepruar në cilësi të personit zyrtar, nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje në rrugën e “Muhaxherëve”, duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit dhe dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën “Qylhan”.
Seanca e sotme filloi me procedimin dhe leximin e provave të propozuar nga ana e palëve në procedurë.
Pas, leximit të shkresave të lëndës, përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit avokati Blerim Mazreku, i propozoj gjykatës të caktohet një ekspert i ndërtimtarisë për llogaritjen e taksave komunale, në mënyrë që të përcaktohet vlera e dëmit të shkaktuar nga investitorit për pjesën e objektit të ndërtuar pa leje.
Propozimin e avokatit Mazreku, e mbështeti në tërësi prokurorja e shtetit Ervehe Gashi.
Mirëpo, kundër këtij propozimi ishte i akuzuari Musliu, me arsyetimin se komuna në këtë çështje penale nuk është e dëmtuar për shkak se investitori ka paguar lejen për objektin B+P+2 dhe se mbindërtimi në këtë çështje nuk e dëmton komunën por e dëmton siluetën e lagjes.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues gjyqtarja Raima Elezi e aprovoj propozimin e avokatit Mazreku dhe vendosi që gjykimi i sotëm të shtyhet dhe seanca e radhës u caktua më 14 prill 2022 nga ora 13:15.
Drejtësia Sot, në vazhdimësi ka raportuar lidhur me zhvillimin e këtij rasti:
Monitoruar nga Leutrim MAKSHANA
PKR.nr.75/19
Lajmet në fokus