Administrata në grevë, shtyhet seaca për korrupsion ndaj ish-drejtorit për Buxhet dhe Financa në Kllokot

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

13:48 / 18 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Greva e stafit të administratës së Gjykatës Themelore në Gjilan, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikola Nojkiq, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica, ka njoftuar se seanca e sotme shtyhet për datën 8 prill, në ora 13:00, raporton Drejtësia Sot.

Kujtojmë se në muajin janar të vitit 2020, Gjykata Themelore në Gjilan, ka shpallur fajtor të akuzuarin Nikola Nojkiq, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 8 muajve.

Për më tepër, kjo gjykatë e ka detyruar të akuzuarin Nojkiq t’ia kompenzojë dëmin e shkaktuar Komunës së Kllokotit.

Megjithatë, vendimi i tillë sipas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, është anuluar nga Gjykata e Apelit për shkak të shkeljeve procedurale, dhe si rrjedhojë kjo çështje penale është kthyer në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i akuzuari Nikola Nojkiq, që nga periudha kohore gusht 2015 e deri në maj 2016, si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete dhe personin tjetër, me dashje nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të caktuara me ligj.

Aktakuza sqaron se i akuzuari Nojkiq, pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14 mijë eurove nga zyrtari B.B., dhe arkatarët B.T., dhe Zh.V. Prokuroria pretendon se këto të holla i akuzuari vetëm shumën prej 3 mijë e 623 euro i ka deponuar në xhirollogarinë bankare të Komunës, ndërsa nuk ka dorëzuar shumën prej 10 mijë e 395 euro në llogarinë bankare.

Në këtë mënyrë i akuzuari duke përfituar për vete këto të holla, i ka shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit në vlerë prej 10 mijë e 950 euro.

Drejtësia Sot në vazhdimësi ka monitoruar këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi