Administrata e gjykatës në grevë, dështon gjykimi ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Pejës i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

13:51 / 18 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Pejës, këtë të premte ka dështuar vazhdimi i rigjykimit ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Pejës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.

I akuzuar në këtë rast është Haki Kartallozi, të cilin Prokuroria e Pejës, e akuzon se përmes keqpërdorimit të pozitës, i ka sjellë vetës përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe njëkohësisht i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, në shumën prej 18.275.98 euro.

Arsye e dështimit të kësaj seance sipas kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Nushe Kukaj-Mekaj, është greva që është duke u mbajtur nga stafi i administratës së gjykatës. Nën këto rrethana kjo seancë u shtyje për kohë të pacaktuar pasi që ende nuk dihet se kur do të përfundojë greva e stafit administrativ.

Vlen të përmendet se në seancën e kaluar ka filluar dhënien e mbrojtjes i akuzuari Kartallozi.

Kujtojmë se gjykimi ndaj Kartallozit, kishte përfunduar me aktgjykim dënues nga Gjykata e Pejës në janar të vitit 2020. Sipas këtij aktgjykimi Kartallozi ishte shpallur fajtor duke u dënuar me 6 muaj burgim efektiv. Mirëpo pas paraqitjes së ankesës nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Kartallozi, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta anulojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

Gjithnjë sipas aktakuzës Kartallozi, akuzohet se përmes shfrytëzimit të programit “Free Keylooger” që shërben për zbulimin e fjalëkalimeve, ka marrë fjalëkalimin e kompjuterëve të dy zyrtarëve të Komunës së Pejës. Pas kësaj ai, përmes programit “Protax”, program që shërben për pagesat e tatimit në pronë, futet në sistemin kompjuterik të zyrtarëve të komunës dhe arrin të shlyej tatimin në pronë të disa tatimpaguesve duke i shkaktuar dëm Komunës së Pejës.

Drejtësia Sot, ka raportuar në vazhdimësi për rrjedhën e këtij rasti.  

Monitoruar nga Blerta KELMENDI.