Kanë kaluar më shumë se 12 muaj dhe akoma deri më tani nuk është caktuar seanca e rigjykimit ndaj ish-zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, Sh.A., i cili në Gjykatën e Gjakovës do të përballet përsëri me procesin gjyqësor lidhur me veprat penale të korrupsionit.
Apeli, më 26 janar 2021, pasi kishte shqyrtuar ankesën e ushtruar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi lirimin nga aktakuza, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë kishte dështuar të paraqesë në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte i ka vërtetuar apo nuk i ka vërtetuar duke mos dhënë arsye të mjaftueshme mbi rrethanat e provuara, duke vendosur që këtë rast ta kthej në rigjykim.
Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se 12 muaj që nga koha kur kjo lëndë është kthyer në Gjykatën e Gjakovës, kjo gjykatë nuk ka arritur akoma që të caktoj shqyrtimin gjyqësor ish-zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, Sh.A.
Për Drejtësia Sot, një veprim i tillë nga ana e Gjykatës Themelore të Gjakovës, konsiderohet i paarsyeshëm. Edhe përkundër faktit se kjo lëndë i është caktuar një gjyqtari tjetër si pasojë e pensionimit të gjyqtarit të rastit, nuk mund të justifikohet fakti se si kjo gjykatë po cenon dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK) që sigurojnë dhe garantojnë zhvillimin e një procesi gjyqësor të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Drejtësia Sot vlerëson se nga ky veprim i gjykatës, së pari nuk po respektohet dispozita e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KEDNJ), që kërkon nga gjykatat që të garantojnë procese gjyqësore të drejta dhe në kohë të arsyeshme për çdo palë në çdo fazë të procedurës gjyqësore. Së dyti, me këtë rast me këtë nuk po respektohet as dispozita e nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që detyrimisht iu kërkon gjykatave zhvillimin dhe garantimin e procedurave gjyqësore të drejta brenda një kohe të arsyeshme.
Së treti, me këtë veprim të mos caktimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore e Gjakovës po shkel edhe detyrimet procedurale të zhvillimit të procesit gjyqësor efikas siç përcaktohet edhe nga dispozitat e KPPRK-së. Konkretisht, gjykata po e cenon nenin 5 të KPPRK-së, që flet për gjykimin e drejtë, të paanshëm dhe në afat të arsyeshëm, i cili përcakton që gjykata detyrohet të kujdeset që procedura të zbatohet pa zvarritje dhe të pengohet çdo keqpërdorim i të drejtave që u përkasin palëve në procedurë.
Përpos kësaj, Drejtësia Sot, i rikujton gjykatës se Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), konkretisht neni 314 ka paraparë edhe kohën e përfundimit të shqyrtimit gjyqësor. Pra në këtë dispozitë sqarohet se si shqyrtimi gjyqësor mbahet para trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të përfundohet brenda 120 ditësh, përveç nëse trupi gjykues nxjerr aktvendim të arsyetuar për vazhdimin e kohës për shqyrtim gjyqësor për shkak të ndonjërës prej arsyeve siç është numri i shumtë të dëshmitarëve, dëshmia e një apo më shumë dëshmitarëve është shumë e gjatë, numri i provave është jashtëzakonisht i madh, siguria e shqyrtimit gjyqësor bën të nevojshme vazhdimin. Mirëpo, për Drejtësinë Sot, në rastin në fjalë nuk qëndrojnë arsyetimet e tilla pasi që as nuk është marrë në konsideratë caktimi i këtij shqyrtimi.
Andaj, nën këto rrethana Drejtësia Sot, rekomandon Gjykatën Themelore të Gjakovës që të ndërmarr veprime të menjëhershme siç është eliminimi i zvarritjes së rastit në fjalë. Gjithashtu, Drejtësia Sot, rekomandon gjykatën që në ciklin e dytë t’i mënjanojë të gjitha shkeljet që janë bërë në ciklin e parë të zhvilluar për këtë çështje penale në mënyrë që në fund të merret një vendim sa më meritor ndaj të njëjtit.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Gjakovës, më 02 nëntor 2020 e kishte shpallur fajtor ish-zyrtarin e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, Sh.A., duke e gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 4.000 €.
Sh.A., nga ana e Prokurorisë së Gjakovës fillimisht akuzohej se duke qenë në cilësinë e zyrtarit në zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës në vitin 2016, kishte keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që personit deri më tani të panjohur, ia vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej B.V., banues në Gjakovë.
Aktakuza më tutje sqaron se po të njëjtën ditë i akuzuari e kishte pajisur këtë person edhe me ekstrakt të lindjes, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara, të posedoj dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.
Me po të njëjtin akt akuzues, Sh.A., akuzohej edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, pasi që ekstraktin të cilin e kishte e lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare.
Me këto veprime, atij i ngarkohet vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 para.2-1-2.1 të KPRK-së si dhe vepra penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 para.1 të KPRK-së.
Mirëpo, me 02 nëntor 2020, kjo gjykatë e kishte liruar të akuzuarin për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, teksa e kishte rikualifikuar veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar në veprën penale legalizim i përmbajtjes së rremë.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kjo gjykatë për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rremë i akuzuari ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, por më pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar me 4000 euro, shumë kjo e cila do të paguhej nga ana e të akuzuarit brenda 1 muaji nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Tutje, ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Gjakovë, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi lirimin nga aktakuza, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës ta aprovoj ankesën si të bazuar, ndërsa aktgjykimin e ankimuar ta prish dhe çështjen ta kthej në rigjykim.
Kështu, Apeli duke e shqyrtuar lëndën dhe ankesën e ushtruar nga ana e Prokurorisë së Gjakovës kishte gjetur se në aktgjykimin e arsyetimit vetëm i ka paraqitur historikun procedural, përmbajtjen nga procesverbalet e seancave nga shqyrtimi gjyqësor, si dhe vetëm ka konstatuar provat materiale por pa vlerësim konkret dhe pa paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara.
SHKRUAR NGA: JETA VULA
Lajmet në fokus