Vazhdon dhënia e mbrojtjes në gjykimin për vrasje në diskotekën “City Club” të Pejës

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Jeta Vula

11:13 / 24 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, edhe sot ka vazhduar mbrojtja ndaj të akuzuarit Granit Elshani, i ngarkuar për veprat penale vrasje të rëndë, tentim të vrasjes së rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim i paautorizuar i armëve, raporton Drejtësia Sot.

Para se të vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarit Elshani, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari, njoftoi se në këtë shqyrtim nuk është i pranishëm mbrojtësi i tjetër i të akuzuarit Elshani, avokat Bujar Berdynaj.

Lidhur me mos praninë e avokatit Berdynaj, mbrojtësja tjetër e të akuzuarit Granit Elshani, avokate Kosovare Kelmendi, deklaroi se avokati Bujar ndodhet në një seancë tjetër në Pejë. E njëjta po ashtu theksoi se nuk paraqet ndonjë pengesë mos prania e avokatit Berdynaj.

Pas kësaj, gjykimi vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Elshani. Ai para trupit gjykues deklaroi se askush nuk e ka pyetur se çka ka nënshkruar në polici dhe po ashtu nuk e ka ditur se çfarë ka nënshkruar.

Tutje, ai theksoi se gjatë kohës sa ka qenë në Zvicër, ai ka pasur njohuri që është në kërkim nga ana e gjykatës. Madje, Elshani shtoi se arma e cila është ekzaminuar nga forenzika nuk ishte e tij.

Ndërsa, i pyetur nga ana e prokurorit special Afrim Shefkiu në lidhje me raportet me të ndjerin B.Sh., i akuzuari Elshani, deklaroi se kurrë më parë nuk e kishte njohur, madje nuk ishte në dijeni se ekzistonte si familje në Pejë.

Pas dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Granit Elshani, prokurori special Afrim Shefkiu, gjykatës dhe mbrojtjes i dorëzoi nga një parashtresë lidhur me precizimin e aktakuzës.

Mirëpo, kjo parashtresë e përpiluar nga ana e prokurorit Shefkiu nuk u lexua, kjo pasi që gjyqtari Bajraktari, pyeti mbrojtësen e të akuzuarit Elshani, avokate Kosovare Kelmendi dhe të akuzuarin Granit Elshani nëse është e nevojshme të lexohet, ku të njëjtit u përgjigjen me jo.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari njoftoi se seanca radhës do të mbahet me datën 9 mars 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Aktakuza më tutje shpjegon se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabin, i cili ishte pranë tij.

Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast

MONITORUESE: JETA VULA