Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është vazhduar gjykimi ndaj ish deputetit M.Z., dhe personave I.K, dhe E.K, në rastin e njohur si “Vizat”, raporton Drejtësia Sot.
Të njëjtit janë duke u gjykuar për shkak të veprave penale mashtrimi, pastrim të parave dhe shmangie nga tatimi.
Është vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarit I.K, i cili në pyetjet e prokurorit special Atdhe Demaj ndër të tjera ka theksuar së pari se nuk qëndron pranë asnjërës prej deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori. Ndërsa të gjitha mjetet janë përdorur në Gjermani e jo në Kosovë, andaj në ATK nuk ka deklaruar asgjë, pasi që tërë kohën ka qenë në Gjermani, dhe mjetet kane qenë të destinuara për Gjermani.
Parët nga aplikantët që kanë plotësuar formularët dhe janë bërë marrëveshjet janë pranuar nga punëtorja e zyrës B.G., e pastaj ato të holla së bashku me të gjitha dokumentet janë dorëzuar të akuzuarit në Gjermani, dhe nga këto para të grumbulluara nuk i kishte japur të akuzuarit M.Z., por vetëm janë kryer pagesa për qiranë dhe shpenzimet e tjera.
Si dhe i akuzuari ka theksuar se të gjithë ata aplikantë që kishin paguar nga 50 euro për aplikim, të gjithëve ja kishin kthyer atë shumë, përveç diku 13 aplikantët që kanë qenë në procedurë, të njëjtëve ju ka borxh, sepse nuk kishte pasur mundësi të I’ua kthej parët për arsyen se të gjitha llogarit bankare i ishin bllokuar.
Ndërsa sa i përketë arsyejes pse nuk qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori, i akuzuari I.K. ndër të tjera ka deklaruar se, avokatët që i kishte të angazhuar me autorizim atë kohë, e kishin orientuar që të pranoj diçka para prokurorit Afrim Shefkiut, që të thotë se i me të akuzuarin M.Z. i kishin ndarë parat bashkë, si dhe veturën dhe një pjesë të lokalit e kishte blerë me parët e grumbulluara nga kompania në Kosovë.
Dhe pasi që i akuzuari së bashku më dy avokatët e tij, av. Ramë Dreshaj dhe avokatin tashmë të ndjerë Sabit Maliqi, kishin shkuar në zyrën e prokurorit, sipas të akuzuarit, avokati Ramë Dreshaj i kishte thënë prokurorit se i mbrojturi i tyre, nuk po i pranonte të gjitha, ashtu siç i kishin pasur fjalët mes veti. E andaj pas konsultimit të gjatë me të njëjtit, i akuzuari I.K. kishte deklaruar komplet ashtu qysh kanë dashur dhe propozuar avokatët e tij.
Tutje ka deklaruar se zyret e kompanisë së tij I.K dhe M.Z OP, i kanë pasur në qytezën Pejton, afër zyreve të M.Z. ku e kishte portalin “Parrotulla”, dhe për këto zyre i akuzuari kishte paguar qira në shumën prej 1500 eurove, të gjitha këto në mënyrën kesh ja kishte dorëzuar M.Z, e gjithmonë ja kishte dorëzuar në Gjermani.
Por diku në muajin shtator apo tetor të vitit 2016, i akuzuari M.Z. kishte kërkuar që të tërhiqet nga kompania, për faktin se i njëjti ishte deputet dhe nëse ndodhë ndonjë problem të mos përmendet emri i tij.
Kurse shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dhënien e të akuzuarit të dytë, M.Z., i cili në ndër të tjera ka deklaruar se asnjëherë nuk i ka ofruar askujt kontratë punë. Si dhe ka theksuar se askush nuk e ka vra më shumë moralisht se akterët e kësaj aktakuze të turpshme, e ku sipas tij mbrapa kësaj qëndrojnë Aleksander Lumezi, Hashim Thaqi dhe prokurori Afrim Shefkiu.
Ndërsa me të akuzuarin E.K. ka pasur raport te ngushtë familjarë. Dhe në kohen kur i akuzuari M.Z., kishte shitur shtëpinë e tij në lagjen Bregu i Diellit, në shumën prej 150 mijë eurove, ato para ja kishte japur në formën kesh E.K., pasi që kishte konsideruar se përderisa udhëton shume shpesh dhe është qejfli mund ti harxhonte shpejt, andaj kishin bërë së pari një marrëveshje se këto para ose do të ja kthenë ose do të kompensohen në metra katrorë.
Pastaj kishin bëre një kontratë në formë të shkruar por vetëm në vlerën prej 115 mijë eurosh, pasi shumën tjetër nuk e kishin përfshirë. E kështu kjo shumë ishte transferuar nga E.K në xhirollogarinë e M.Z.
Andaj sipas tij akuza për shmangie nga tatimi fare nuk qëndron. Kurse sa i përketë deklaratave të dhëna në prokurori, lidhur me to ka deklaruar se diku 99% nuk i kujtohet se çfarë kishte deklaruar.
Si dhe sa i perketë biznesit që e kishte së bashku me të akuzuarin I.K., ai biznes asnjëherë nuk ka pasur xhirollogari të vetën, e aq më pak qarkullim dhe fakturë të biznesit.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, është ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, i cili do të vazhdoj me datat 15 dhe 24 mars 2022 me fillim nga ora 09:00.
Përndryshe, kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të përfaqësuar nga prokurori Atdhe Dema, të akuzuarit M.Z dhe I.K nga viti 2016 e deri në mars të 2017, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm pasuror kanë regjistruar biznesin “I.K & M.Z”, si agjencion punësimi.
Ata kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, përmes emisionit “Pa Rrotlla”, duke i mashtruar 900 aplikues për viza pune.
Të akuzuarit si bashkëpronar të biznesit, me dashje direkte i janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në shumë të përgjithshme prej rreth 59,981.85 euro.
I akuzuari M.Z me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të përfituara nga mashtrimi me viza pune, dhe shmangies nga tatimi ka bërë 11 transaksione në shumë të përgjithshme prej 153.901.00 euro në llogarinë e kompanisë “ENK & CO”, pronë e E.K. Gjithmonë sipas aktakuzës, në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.
Gjykata e Apelit, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre. Gjykata e shkallës së dytë kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila i kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga trupi gjykues në përbërje prej kryetarit Vesel Ismaili me anëtarët Naser Foniqi dhe Fatime Dërmaku.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus