Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami të cilët akuzohen se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal i cili kishte për qëllim përfitimin e drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, raporton Drejtësia Sot.
Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dhënien e mbrojtës nga i akuzuari Arben Bashota, i cili në pyetjet e Prokurorisë Speciale ka deklaruar se në vitin 2004 janë bërë 6 kontrata në gjykatë, lidhur me pronën në fjalë, por deri në vitin 2012 këto prona nuk janë regjistruar në fletëposedim në kadastër, dhe kjo për faktin se arsyeja se deri në këtë vit nuk ishte e mundur që këto prona ti barten blerëseve kanë qenë se kadastra nuk e ka zbatuar ligjin.
Si dhe ka shtuar që i njëjti nuk ka nënshkruar asnjë kontratë personalisht. Kurse në atë kohë por vazhdon edhe tani të jetë në bashkësi familjare me vëllain e tij Xhavit Bashotën, andaj ka autorizim të përgjithshëm për pronat e tij, dhe ka potencuar se bërë negocimin për blerjen e tokës nga ish pronari Marko Mitroviq, si dhe ka autorizim edhe për 2 bashkëpronarët e tjerë sic janë M.M dhe Gj.M.
Pas përfundmit të orarit të punës, është ndërprerë shqyrtimi gjyqësor i cili do të vazhdoj për një datë tjëtër, ku lidhur me të njejtën palët do të njoftohen në mënyrë të rregullte, e në të cilën do të vazhdohet me dhënien e mbrojtjes nga të pandehurit.
Kujtojmë se kjo çështje penale është kthyer në rigjykim ngase Gjykata e Apelit me vendimin e datës 12.12.2019, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e anuluar kështu vendimin e shkallës së parë e duke kthyer kështu çështjen penale në rigjykim.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR.nr.458/16, të datës 06.05.2019, të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami janë shpallur fajtor për veprën penale Detyrim në bashkim kriminal duke u dënuar kështu, i pandehuri Bashota me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vite, i pandehuri Osman Bajrami me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 6 muaj dhe i pandehuri Sylejman Bajrami me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite.
Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e prokurores Merita Bina Rugova, të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, në bashkëkryerje me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri – ‘Baksi’, si dhe me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, në krye të cilit ka qëndruar i pandehuri Arben Bashota, i cili ka drejtuar veprimet e këtij grupi gjatë periudhës kohore shumëvjeçare kanë kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare.
Në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze theksohet se të pandehurit duke filluar nga vitit 2004, kanë bërë presione të vazhdueshme, direkte dhe indirekte, me intensitet të ndryshëm në të dëmtuarit M.T., K.T., H.Sh., dhe I.O., që të lirojnë pronën e paluajtshme me sipërfaqe 10.12.53 ha e cila gjendet në Fushë Kosovë, të cilën i dëmtuari M.T., e ka marrë në shfrytëzim për 10 vite.
Të dëmtuarit e lartcekur kishin ndërtuar në këtë paluajtshmëri objekte me vlerë të përgjithshme prej më shumë se 5 milion euro. Tutje në pikën e parë të dispozitivit theksohet se i pandehuri Arben Bashota kishte falsifikuar një Aktgjykim të Gjykatës Komunale në Prishtinë, ku pronar në paluajtshmërinë e lartcekur kishte vendosur personi me inciale M.M., si dhe një autorizim ku personi M.M. e autorizonte të pandehurin Bashota të ndërmarr në emër të tij te gjitha veprimet juridike në lidhje me paluajtshmërinë në fjalë.
Me këto dokumente falso i pandehuri Bashota ka kërkuar regjistrimin e ndryshimeve në kadastër, krejt kjo duke iu bërë presion dhe duke i kërcënuar personat përgjegjës për këtë punë. Aktakuza në vazhdimësi flet për presionin dhe kërcënimet që të pandehurit iu kanë bërë palëve të dëmtuara, duke i’u ndaluar edhe qasjen fizike në objektet e tyre.
Të pandehurit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, kishin filluar të disponojnë në tërësi me pronën si pronar të vetëm. Pika e dytë e aktakuzës i përshinë veprimet inkriminuese të të pandehurve gjatë qershorit të vitit 2010 ndaj të dëmtuarit A.H., në drejtim të ngastrës kadastrale me rreth 15 ari në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë tek vendi i njohur si Jagnella. Me këto veprime sipas aktakuzës i pandehuri Arben Bashota ka kryer veprën penale ‘Krim i organizuar’ nga neni 274 par.3 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (KPK) lidhur me veprën penale ‘Detyrim’ nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 23 të KPK-së. Ndërsa të pandehurit e tjerë në bashkëkryerje më tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri kanë kryer veprën penale ‘Krim i organizuar’ nga neni 274 par.1 të KPK lidhur me veprën penale ‘Detyrim’ nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus