Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, ka vazhduar dëgjimi i dëshmitareve në rastin ku Besim Beqaj, Mimoza Kursari- Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Arben Gjuka dhe Fllanza Hoxha po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e së hënës, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Valon Kurtaj, ka vazhduar dëshminë dëshmitari E.N. dhe është dëgjuar dëshmitari i radhës me inicialet I.B.
Dëshmitari E.N., për të tretën seancë me radhë është përgjigjur në pyetjet e palëve në këtë procedurë penale.
Në përgjigjet që ai dha sot për pyetjet e mbrojtjes, tha se nuk ka marrë pjesë personalisht në procesin e hartimit të listave të aseteve që do ti nënshtrohen privatizimit. Ndër të tjera, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet se kush ka nënshkruar marrëveshjen për transferimin e aseteve nga KEK-u në KKDFE.
Më pas seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit I.B., i cili theksoi se ka blerë kontratën nga kompania që ka ndërtuar hidrocentralin “Burimi” në Istog. Ai tha se vlera e blerjes së kontratës është rreth 1 milionë euro dhe paguan qëra mujore në vlerë prej 590 euro.
Mirëpo në pyetjet e prokurorit të rastit, Atdhe Dema, ai tha se nuk i kujtohet se cilit institucion i paguan këtë qëra meqë ka shumë kompani dhe aktivitete biznesore.
Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 10 shkurt 2022, me fillim nga ora 09:00.
Kujtojmë se, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori Special Atdhe Dema, të pandehurit Besim Beqaj- kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe L.F., anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”. Gjithnjë sipas aktakuzës këto hidrocentrale janë: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”.
Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.
Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore e ligjit për rregullatorin e energjisë elektrike.
Andaj me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese.
Sipas Prokurorisë Speciale, dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit. Ndërkaq, e pandehura F.H., menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), Arben Gjuka, Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Ndërsa, i pandehuri F.Ç, kryesues i Bordit të KEK-ut, M.R., A.N., F.K. dhe I.I., në cilësinë e anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe G.J., kryesues i Bordit të KKDFE-së, B.B., G.Sh., N.H. dhe A.A., anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Kujtojmë se, pas kërkesave për hedhje të aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjyqtari Valon Kurtaj me aktvendimin PS.nr.17/20 të datës 4.3.2021, kishte refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës nga të akuzuarit Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi, Fllazna Hoxha dhe Arben Gjukaj, sipas pikës I, II dhe III të aktit akuzues.
Ndërsa kishte aprovuar kërkesat për hedhje të aktakuzës të të akuzuarve Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Berisha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu dhe Krenar Bujupi, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ky vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast në vazhdimësi
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus