Vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve në gjykimin për manipulime me punësim në Ansamblin “Shota”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

12:29 / 25 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda, pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Shefqet Gjocaj dhe Nazmi Demaj në rastin për manipulime me punësime në ansamblin “Shota”, raporton Drejtësia Sot.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.H., i cili është udhëheqës i departamenti ligjor pranë MKRS-së, i cili ka shpjeguar mënyrën e funksionimit të departamentit ligjor në lidhje me institucionet tjera në rastin konkret me ansamblin “Shota”.

Tutje ka sqaruar edhe përgjigjen e departamentit të tij në kërkesën e AKK-së, të datës 17.12.2018, ku e njëjta ishte përpiluar nga zyrtari përgjegjës në atë kohë, B.J, por ishte nënshkruar nga dëshmitari, e cila përgjigje ishte vetëm një opinion në përgjegjësi, e jo ndonjë gjë specifike.

Më tëj dëshmitari F.H., ka dhënë detaje se si Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, çdo vitë ndan një buxhet për ansamblin “Shota”, i cili pastaj shpenzohet për projektet konkrete, por duhet të kihet parasysh se buxheti i tillë ndahet në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, e kjo kategori nuk i nënshtrohet procedurës së prokurimit publik.

E sa përkete kontratave që janë objekt i aktit akuzues, ka deklaruar se ato kanë qenë për kohe dhe angazhim të caktuar, pasi që ansambli “Shota”, e kishte të paraparë që mund të angazhoj profesionist të ndryshëm, për një projekt të caktuar.

Por shqyrtimi gjyqësor është ndërprerë nga kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni, për arsyen se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi ka një urgjencë familjare, e në këtë drejtim seanca e radhës është caktuar për datën 25 mars 2022, me fillim nga ora 09:00.

Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori Arian Gashi, Shefqet Gjocaj dhe Nazmi Demaj akuzohen se gjatë periudhës kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare e me qëllim që t’i mundësojnë përfitim Ismet Bogujevcit, Xhemali Berishës dhe Luljeta Shala Lushtakut, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre të parapara me ligj në atë mënyrë që kanë shkelur ligjin lidhur me punësimin në sektorin publik e këtë duke mos shpallur konkurs publik.

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë Shefqet Gjocaj në pozitën e drejtorit të ansamblit dhe Nazmi Demaj si ushtrues detyre i drejtorit të ansamblit kanë lidhur kontratë me Ismet Bogujevcin, Xhemali Berishën dhe Luljeta Shala Lushtakun, me çka kanë pamundësuar që pranimi në punë të bëhet në mënyrë të ndershme, të hapur dhe konkurruese për të gjithë kandidatët.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Elvira Rrahmani