Shpallet i pafajshëm i akuzuari që dyshohet se nuk e paraqiti aktgjykimin dënues gjatë aplikimit për tender

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

10:44 / 18 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Naim Sallahu ish-pronar i operatorit ekonomik “Sallahu”, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik, është liruar nga akuza për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, raporton Drejtësia Sot.

Kjo është bërë e ditur pas komunikimit të aktgjykimit nga gjyqtari i lëndës Naser Maliqi, në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor, raporton Drejtësia Sot.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Naim Sallahu, në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, “Sallahu” SHPK, me seli në fshatin Biçec, Komuna e Kaçanikut, me vetëdije i ka shkelur rregullat e Prokurimit Publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së Prokurimit Publik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë aktivitetit të Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, ndërtimi i rrugës Viti – Kërbliq – Kaçanik, ka aplikuar duke ndërmarrë veprim të paligjshëm, me qëllim të ndikimit në vendimin, aktivitetin e Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që nuk ka paraqitur para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues P.Kr. nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe që e ka pasur obligim sipas Ligjit për Prokurimin Publik.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi