Puna e Departamentit Special në kuadër të GJTHP dhe Gjykatës së Apelit

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

15:38 / 04 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili është themeluar në gjysmën e parë të vitit 2019, nuk ka treguar efikasitet të dalluar sa i përket zgjidhjes së lëndëve që ka pasur në punë.

Në vitin 2019, ka arritur të zgjidhë 3 lëndë të krimit të organizuar, përderisa për lëndë të korrupsionit dhe pastrimit të parave nuk ka nxjerr asnjë aktgjykim.
Në vitin 2020 ka arritur të zgjidhë dy raste të korrupsionit, njëra nga të cilat është edhe aktgjykimi dënues ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj, Rafet Ismajli.

Mirëpo edhe ky rast është kthyer në rigjykim nga ana e Apelit dhe ende është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore në shkallën e parë. Për krim të organizuar, në vitin 2020 kanë qenë në punë 13 lëndë dhe është përfunduar vetëm një lëndë.

Kjo lëndë ka të bëjë me rastin e ish-gjyqtarit të Klinës, Kolë Pukaj, në të cilën gjykata ka marrë aktvendim për hedhje të aktakuzës, e cila më vonë edhe është konfirmuar nga ana e Apelit.


Në vitin 2021, për rastet e korrupsionit, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka pasur në punë gjithsej 17 lëndë ku prej tyre i ka zgjidhur vetëm 6 lëndë me aktgjykim.

Sa i përket krimit të organizuar, zgjidhur 5 lëndë dhe të gjitha janë aktgjykime dënuese, për veprat penale si krim i organizuar lidhur me kontrabandim me migrantë, pastaj me veprat e narkotikëve dhe trafikim me armë.

Ndërsa lidhur me lëndët e pastrimit të parave, prej gjithsej 5 rasteve që ka trajtuar në vitin 2021, e ka zgjidhur vetëm një rast me aktgjykim.


Në përgjithësi, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk ka treguar ndonjë sukses të madh apo arritje në drejtim të përmbushjes së qëllimit të themelimit.

Siç mund të shihet nga të dhënat e lartcituara, numri i lëndëve vazhdimisht është rritur mirëpo efikasiteti në zgjidhjen e lëndëve nuk është në nivelet e kënaqshme.

Këtu duhet theksuar se përkundër faktit se ky departament tanimë ka 12 gjyqtarë, nuk po arrin të zgjidhë mjaftueshëm lëndë. Si shembull mund të marrim faktin se në vitin 2021, prej 17 lëndëve të korrupsionit ka arritur të zgjidhë vetëm 6 prej tyre. Shto këtu faktin se sipas monitorimit të Drejtësia Sot, ky departament nuk ka arritur që të përfundojë ndonjë lëndë të profilit të lartë gjatë kësaj periudhe, rast i cili mund të dallohet për nga dëmi që është shkaktuar nga kryerja e veprave penale përkatëse.


Sa i përket Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, mund të konsiderohet se e njëjta në masë të madhe ka qenë më pasive për faktin se nuk ka pasur numër të madh të lëndëve në punë sipas ankesës së ushtruar karshi vendimeve të shkallës së parë.

Megjithatë ky departament ka ndërmarrë një hap tejet pozitiv, e që ka të bëjë me faktin se në disa raste të profilit të lartë të korruspionit ka shqiptuar dënime plotësues.

Këto raste janë rasti “Pronto” dhe rasti “Ferronikeli”. Kjo gjykatë gjithashtu ka vendosur për konfiskimin e përhershëm të afër 1 milionë eurove në një rast të shpërlarjes së parave, por i cili më vonë është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosoves.