Këtë të mërkurë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka përfunduar gjykimi ndaj dy hetuesve të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të cilët po akuzohen për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.
Osmani dhe Menxhiqi, po gjykohen nën dyshimin se kanë marrë ryshfet për të mos penguar veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit. Menxhiqi përveç kësaj, akuzohet edhe për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në gjykimin e sotëm të udhëhequr nga gjyqtarja Shpresa Hasaj-Hyseni, është proceduar me dhënien e fjalës përfundimtare të palëve.
Prokurori i rastit, Rafet Halimi, gjatë fjalës përfundimtare ka thënë se pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë. Më pas ai ka vazhduar duke elaboruar provat mbi të cilat mbështetet akti akuzues dhe faktet që ato kanë vërtetuar në këtë çështje penale.
Në fund të deklarimit të tij, prokurori Halimi i kërkoi gjykatës që të akuzuarit t’i dënojë sipas ligjit dhe t’ua shqiptojë gjithashtu edhe dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike.
Kurse mendim të kundërt kishin mbrojtësit e të pandehurve, avokatët Sokol Mushkolaj dhe Skender Musa, të cilët pretenduan se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë tezën e akuzës së saj.
Avokati Mushkolaj, ndër të tjera potencoi se për të ekzistuar vepra penale e marrjes së ryshfetit, duhet të ekzistojë edhe dhënia e ryshfetit, të cilën prokuroria nuk ka arritur që ta provojë.
Kurse avokati Musa, mes tjerash tha se asnjë nga dëshmitarët e këtij rasti nuk kanë theksuar se i kanë dhënë para të mbrojturit të tij, prandaj edhe nuk mund të pretendohet se ai ka marrë mjete monetare prej tyre.
Ndryshe, sipas akuzës e cila përfaqësohet nga prokurori Rafet Halimi, me datë 26 nëntor 2019, rreth orës 17:00, në Prishtinë, të pandehurit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi në cilësinë e personave zyrtar, pranojnë ryshfet që mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare.
Sipas kësaj pike të aktakuzës kjo ka ndodhur në atë mënyrë që paraprakisht i pandehuri Lutfi Menxhiqi e organizon takimin duke i kërkuar të pandehurit Lavdim Osmani që të takohet me D. H. Sipas instruksioneve të marr nga i pandehuri Lutfi, i pandehuri Lavdim Osmani takohet me dëshmitarin D. B. dhe D. H. në lokalin “Central” dhe derisa me veturë e dërgojnë te banesa e tij, D. B., ia jep 3000 euro në formë ryshfeti të pandehurit Lavdim Osmani, me qëllim që mos të pengojnë në veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit. Aktakuza thotë se ky ryshfet është ndarë në mes të pandehurve në dy pjesë.
Me këto veprime të pandehurit Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Marrjes Ryshfeti” nga neni 421 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 tëKPRK-së.
Pika III e akuzës i ngarkon të pandehurit se me datë 09 janar 2020, rreth orës 18:00, në rrugën C, i pandehuri Lavdim Osmani në cilësinë e personit zyrtar, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari M. M. në restorant “Marigona” afër QMI-së ia dorëzon dëshmitarit bashkë punues D. H. parat në vlerë 3000 euro. Me këtë veprim, sipas prokurorisë i pandehurit Lavdim Osmani ka kryer veprën penale Marrje Ryshfeti nga neni 421 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Ndërsa pika tjetër e akuzës thotë se me datë 5 shkurt 2020, rreth orës 17.30, përkatësisht në rrugën C, i pandehuri Lavdim Osmani në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Kjo pikë e akuzës thotë se nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari M. M. ia dorëzon parat prej 3000 euro D. H.. Pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartë monedhave i ndërron ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për veti. Me ketë veprim i pandehuri Lavdim Osmani, sipas prokurorisë ka konsumuar veprën penale Marrje Ryshfeti nga neni 421 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Kurse më datë 04 dhjetor 2019, i pandehuri Menxhiqi në cilësinë e personit zyrtar, ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi që ishin marrë vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019, afër kafiterisë “Central” me dëshmitarin D. B. dhe D. H., për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarit bashkëpunues D.H. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete.
Po atë ditë, D.H. e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga Policia ndaj lojërave të fatit. Vetëm pas pak kohësh në ora 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, i dërgon mesazh D.H. duke e njoftuar se Policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë. Me këtë veprimi i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par.1 të KPRK-së.
Ndërsa pika e fundit e akuzës e ngarkon të pandehurin Menxhiqi, se me datë 05 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm. Gjatë kontrollit të zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës te i pandehuri janë gjetur dy armë automatike të zjarrit, AK 47 me dy karikatorë.
Sipas prokurorisë i pandehuri Menxhiqi ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus