Përsëri dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj 11 të akuzuarve për korrupsion në komunën e Shtërpcës

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga Qendresa Ismaili

15:59 / 14 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nuk mbahet përsëri shqyrtimi fillestar ndaj 11 të akuzuarve për korrupsion në komunën e Shtërpcës, raporton Drejtësia Sot.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me prokuror Rasim Malokun, me datën 16.11.2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj Dimitrije Racicevic, Dragomir Millosavljevic, Hysni Bajrami, Naser Kelmendi, Arian Idrizaj, Gentijan Sula, Riad Hasani, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Sanije Geci dhe Labinot Vitia, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi  i mjedisit”.

Kryetarja e trupit gjykues, Kadrije Goga, njoftoi palët në procedurë se seanca e ditës së sotshme nuk do të mbahej pasi që i akuzuari Gentijan Sula kishte pësuar aksident trafiku dhe përshkak të lëndimeve trupore është në trajtim mjekësor dhe nuk mund të merr pjesë në seancë.

Seanca e rradhës u caktua për datën 15 Mars 2022 me fillim në orën 14:00.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Dimitrije Racicevic, Dragomir Millosavljevic dhe Hysni Bajrami po akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që Racicevic si Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit kishte tejkaluar kompetencat duke lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend zonën e Brezovicës, kurse Dragomir Millosavljevic dhe Hysni Bajrami nuk kishin ndërmarr veprime për ndalimin e ndërtimit në këtë zonë.

Ndërsa të akuzuarit e tjerë po akuzohen për veprën penale “ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së, duke degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica” me gërmimet dhe prerjet e pyjeve për ndërtimin e 22 vikend shtëpizave në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe ligjin mbi Pyjet.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili