Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-gjyqtarit Rafet Ismajli, i cili akuzohet për korrupsion, si dhe ndaj ish-zyrtarit policor Blerim Gashi, raporton Drejtësia Sot.
Ismajli dhe Gashi, akuzohen se duke shfrytëzuar pozitat e tyre kanë marrë të holla dhe kanë ushtruar ndikim në persona të tjerë me qëllim të shtyerjes së ekzekutimit të dënimit për tani dëshmitarin F.Z. Seanca ka vazhduar me fjalën përfundimtare të palëve, ku Prokuroria Speciale, fjalën e saj e ka përgatitur me shkrim, dhe të njëjtën në pika të shkurta e ka elaboruar, si dhe ka theksuar se me provat e paraqitura dhe dëgjimin e dëshmitarëve gjatë këtij procesi gjyqësor, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që i’ u vihen barrë.
Dhe është vërtetuar se të njëjtit kanë pranuar shumën e të hollave, sic ishte e përshkuar në aktakuzë. Andaj ka kërkuar nga trupi gjykues që të njëjtit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit duke marr parasysh rrethanat rënduese si dhe ti shqiptohen dënime plotësuese, pra ti ndalohen ushtrimi i funksioneve në administratë publike.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rafet Ismajli, fjalën e tij e dorëzon me shkrim, po në pika të shkurta ka theksuar se për asnjë moment nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.
Si dhe nuk është kontestuese se ish gjyqtari i ka marr 1500 euro nga dëshmitari F.Z., por të njëjtat janë marr në form të borxhit, dhe të cilat ishin dakorduar të kthehen në fund të vitit, e ato para nuk ishin kërkuar ashtu siç po pretendon prokuroria.
Pra, ka kërkuar nga trupi gjykues, që të vlerësohen të gjitha provat, dhe me të cilat vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, dhe për të, të nxirret dënim lirues.
Kurse i akuzuari Ismajli, ka mbështetur fjalën e avokatit të tij, por ka shtuar se dëshmitari F.Z., e kishte joshur me shuma të parave 5000 euro pastaj edhe 700 euro, dhe se e ka futur në biseda të cilat nuk i kishte bërë kurrë, dhe ky veprim i kundërligjshëm konsiderohet veprim nul.
Kjo, sipas tij vërteton se ka qenë i nxitur dhe i joshur dhe viktimë e sjelljeve arbitrare të dëshmitarit F.Z., të montuar nga ana e hetueseve.
Dhe është e pakuptueshme, se si mund sipas tij të shpallet fajtor në bazë të supozimeve imagjinare nga kinse një dëshmitar, dhe i cili kishte deklaruar se i ka dhënë dëshmitë në polici me kushte të caktuara dhe me premtim të heqjes së dënimit, dhe kjo e bën këtë provë të pa pranueshme sipas të njëjti së bashku me procedurat tjera gjatë periudhës paraprake.
Këtë aktakuzë e ka konsideruar të montuar me qëllim të paracaktuar të disa personave kundër cenimit dhe lëndimit të identiteti të tij personal dhe profesional. Dhe ka kërkuar lirimin nga akuza, pasi nuk është provuar se ka kryer vepër penale.
Tutje, në fjalën e tij përfundimtare, mbrojtësi i atë akuzuarit Blerim Gashi, ka deklaruar se mbrojtja me bindje të plotë konstaton, se edhe në rigjykim akuza nuk ka vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë. Provat kyqe dhe të vetme të akuzës, siç janë dëshmitari F.Z dhe përgjimet në asnjë mënyrë nuk kanë dëshmuar bindshëm se Blerim Gashi të ketë ndërmarrë veprime inkriminuese, në mënyrë si në dispozitiv të akuzës.
Andaj sipas tij është e habitshme dhe e pakuptueshme se si prokuroria mbështetet në një dëshmitar krejtësisht të pa besueshëm, i cili ka dhënë ma shumë se 4 deklarata.
Kurse transkriptet janë nga një person i pabesueshme dhe jo kredibil. Dhe ka propozuar që i akuzuari të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
E kështu ka përfunduar rigjykimi ndaj të akuzuarve, dhe kryetarja e trupi gjykues, gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj, ka caktuar datën 11 shkurt 2022 në ora 09:00 për shpalljen e aktgjykimi për të njëjtit.
Kujtojmë se ish gjyqtari Rafet Ismajli dhe ish polici Blerim Gashi, janë dënuar për veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit’, nga Departamenti Special i kësaj gjykate duke i’u shqiptuar të njëjtëve dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje për 2 vite e 6 muaj, secilit veç e veç.
Po ashtu, të njëjtit janë dënuar me gjobë nga 2 mijë euro, secili veç e veç, si dhe me dënim plotësues, gjykata të akuzuarve ju ka shqiptuar ndalimin e ushtrimit të profesionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 2 viteve, e cila do të ekzekutohet pas përfundimit të dënimit kryesor.
Të akuzuarit me vendimin e shkallës së parë poashtu u obliguan që të kompenzojnë buxhetin e Republikës së Kosovës, ashtu që i pandehuri Ismajli shumën prej 1500 euro, kurse i akuzuari Gashi shumën prej 1000 euro, pasi që të njejtat kanë qenë të holla të Policisë së Kosovës, me të cilën janë stimuluar veprat penale.
Gjykata e Apelit me vendimin APS.nr.10/2021 të datës 22 prill 2021, ka anuluar aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë PS.nr.14/2020 të datës 18 dhjetor 2020, dhe cështjen e ktheu në rigjykim të njejtës gjykatë.
Gjykata e Apelit në arsyetim theksoi se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), ngaqë arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me dispozitivin, dhe njëherit mungojnë edhe arsyet për faktet vendimtare ngase ato që janë dhënë nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera të lëndës.
Gjykata e Apelit poashtu theksoi se aktgjykimi i shkallës së parë konsiston edhe në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Sipas aktakuzës, Ismajli më datën 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1.500 euro, me qëllim që të ushtrojë ndikimi të pa drejtë te Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të dates 26.07.2018 ndaj dëshmitarit F. Z., në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Ndërsa, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësinë e zyrtarit policor në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendim marrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1000 euro me qëllim që i akuzuari të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26.07.2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus