Ngritet edhe një aktakuzë për korrupsion ndaj ish-drejtorit të shërbimeve publike në Prizren

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

12:13 / 01 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prizren, gjatës ditës së sotme ka njoftuar se ka ngritur edhe një aktakuzë kundër të pandehurit Levent Kasemi.

Prokuroria ka dyshim të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot, mëson se aktakuza ka të bëjë me periudhën kohore 2018 – 2020 në kohën kur i pandehuri lartcekur si person zyrtar ushtronte detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk i përmbush detyrat zyrtare e me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër në rastin konkret dy operatorëve ekonomik, në atë mënyrë që  me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve – artikujve, ka ndërhyrë, dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike – dëshmitari S.T., dhe më pas në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomik lidhur me zbatimin e tenderit ‘’Ndërtimi i mini parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik’’ në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro, ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës, ndërsa në anën tjetër për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro e të cilat fakte janë vërtetuar përmes ekspertizës së prokurimit pubik të datës 21.06.2021.

Monitorues: Lorik KABASHI