Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot dështoi gjykimi në rastin ku pesë persona po gjykohen për manipulim me regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton Drejtësia Sot.
Abdyl Buja, së bashku me Feti Ismajli, Mentor Ismajli, Alban Azemi, dhe Rizah Azemit, akuzohen për keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Me të filluar gjykimi i sotëm i udhëhequr nga gjyqtarin Alban Ajvazi, u konstatua mungesa e të akuzuarit Mentor Ismajli. Gjyqtari Ajvazi tha se gjykata ka pranuar një parashtresë nga i akuzuari se ai gjindet për arsye të shkollimit në Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të jetë i pranishëm në këtë gjykim.
Por sipas gjyqtarit kjo nuk është arsye valide për të mos qenë pjesëmarrës në këtë gjykim, prandaj ai vendosi që për seancën e ardhshme të lëshoj urdhër për sjellje me detyrim nga ana e policisë për këtë të akuzuar.
Në këto rrethana të mungesës së kushteve ligjore kjo seancë nuk u mbajt, ndërsa ajo e radhës u caktua më datë 24 mars 2022.
Sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokuroi Shkëlzen Ibrahimi, të akuzuarit e lartcekur po akuzohen për veprat penale ‘Marrje ryshfeti’, ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’ në tentativë, ‘Falsifikim i dokumentit’, dhe ‘Dhënia e ryshfetit’. Aktakuza e datës 31 maj 2018, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, thotë se i pandehuri Abdyl Buja me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do ti fsheh provat e veprës e veprës së kryer penale.
Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që në kafeterinë “Rozafa” në Lipjan, me dëshirë që pas dështimit të të pandehurit Albisjan Fazliut për të kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, ta regjistrojë të njëjtin në këtë Degë gjë që ka arritur duke ia lëshuar Vërtetimin nga Administrata Qendrore e UP-së me datë 5.10.2011 si student në vitin akademik 2011/12.
Pastaj thuhet se është formuar dosja dhe indexi me numër të njejtë për çka i pandehuri ka marrë shumën prej 3.000 euro në shtëpinë e vet nga i pandehuri Feti Ismajli. Për këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë”.
Në vazhdim të aktakuzës thuhet se i pandehuri Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli në ditën e pacaktuar të muajit nëntor 2013,në restorantin “Pauna” në Lipjan së bashku kanë kërkuar dhe marrë nga e pandehura Rajmonda Borovci shumën prej 5.000 Euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP, gjatë vitit akademik 2012/13. Pastaj thuhet, duke i premtuar se përmes autoritetit dhe emrit të ish-Ministrit të Arsimit Ramë Buja do ti nxitin personat zyrtar të këtij Fakulteti, tani për tani të paidentifikuar, që e njëjta të regjistrohet në këtë Fakultet pa i respektuar dhe zbatuar procedurat ligjore të regjistrimit të parapara me konkursin shpallur publik.
Të njëjtit, në ditën e pacaktuar të muajit shkurt 2012 në picerinë “Extreme” në Prishtinë së bashku me dashje kanë nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që tu jap shumën prej 2.000.00 Euro, duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij Fakulteti,do t’ia rregullojnë pozitën e saj me Kontratë formale – nga Kontrata si asistente e angazhuar e kimisë analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.
Për këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje” për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Kujtojmë se të akuzuar në këtë çështje penale ishin edhe Albisjan Fazliu, Muhib Fazliu, Rajmonda Borovci, Granit Kastrati dhe Hyrije Koraqi, për të cilët gjykata e ka hedhur poshtë aktakuzën për shkak se ka arritur parashkrimi i veprave penale.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus