Në Departamentin për Krime të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, u deklarua i pafajshëm i akuzuari Musli Shala, i cili si ish-zyrtar i Gjendjes Civile në Komunën e Obiliqit, akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka Falsifikuar dokumentin zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Shala, po akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se në periudha të ndryshme kohore, e atë në vitin 2016 dhe 2019, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme, për personin E.C dhe E.D, e duke ju mundësuar të njëjtëve të pajisen me dokumente personale të Republikës së Kosovës.
Në shqyrtimin fillestar para kryetarit të trupit gjykues Kushtrim Shyti, i akuzuari Shala, së pari ka deklaruar se nesë ka mundësi gjykata sipas detyrës zyrtare t’ ia angazhoj një avokat, pasi i njëjti është penzioner dhe nuk ka mundësi që të angazhoj një me autorizim.
Por gjyqtari, ka udhëzuar të njëjtin se lidhur më këtë çështje mund të parashtroj një kërkes duke bashkangjitur dokumentet e nevojshme, të cilat mbështetin pamundësinë e angazhimit të një mbrojtësi me autorizim, dhe pastaj lidhur më këtë kerkesë do të vendosin organet kompetente.
Tutje, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit, Bashkim Zeqaj, i akuzuari është deklaruar se nuk e ndjehnë veten fajtorë për veprën që i vihet në barrë.
E në këtë drejtim, i njëjti u udhëzuar se në afat prej 30 ditësh ka mundësi që të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndërsa, sipas aktakuzës së siguruar nga Drejtësia Sot, e ngritur me datë 23 dhjetor 2021, Shala akuzohet se me datë 04.10.2016, duke shfrytëzuar pozitën e tij, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme, me qëllim që personit E.C., i ka mundësuar marrjen e dokumenteve personale të RKS-së, duke bërë ndërhyrje në të dhëna personale të personalit me nr. Rendor 11 të vitit 1973, në librin amëz të gjendjes civile të K. së Obiliqit.
Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzuës, i pandehuri më datë 04.07.2019, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme, me qëllim që personit E.D., ti mundësoj marrjen e dokumenteve personale të RKS-së. I njëjti më dëshmi-deftesë të pagesës së shërbimeve komunale të falsifikuara, dëshmi pagese të energjisë elektrike. Personin E.D. shtetas të Shqiperisë, duke mos përfillur vendimet në fuqi, i ka lëshuar të njëjtit ekstraktin e lindjes, e duke i mundësuar që i njëjti të aplikoj dhe të pajiset me letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së.
E me këto veprime në vazhdimësi dyshohet se ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit zyrtar”
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus