Nën udhëheqjen e Kryesuesit Jetish Maloku, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 209-të më radhë, raporton Drejtësia Sot.
Në këtë takim, anëtarët e KPK-së u pajtuan që të aprovojnë listën me kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në këtë listë bëjnë pjesë prokurorët Arben Ismajli, Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
Mirëpo, aprovimit të kësaj liste i ka paraprirë një diskutim mes anëtarëve të KPK-së lidhur me paraqitjen eventuale të konfliktit të interesit, për disa nga kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kësisoj, u përmend çështja se kandidaturat e dy ish-anëtarëve të KPK-së, Arben Ismajli dhe Blerim Isufaj, mund të bien në kundërshtim me nenin 18 të Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Në këtë dispozitë ligjore parashihet që “Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese…”.
Pavarësisht diskutimit, KPK vendosi që të aprovojë listën me të gjithë kandidatët si dhe u la në diskrecion të tyre nëse dëshirojnë që të marrin opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, lidhur me çështjen se kandidatura e ndonjërit paraqet konflikt interesi.
Në takimin e sotëm anëtarët e KPK-së kanë aprovuar edhe procesverbalet nga takimi 205 dhe 208, e më pas mbledhja ka vazhduar me prezantimin dhe miratimin e Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial dhe Planit të Veprimit, për periudhën 2022-2024.
Më këtë rast, Kryesuesi i Grupit Punues, prokurori Veton Shabani, bëri të ditur se përmes këtyre dy dokumenteve është pasqyruar vizioni dhe misioni, përfshirë këtu edhe aktivitetet e sistemit prokurorial të Kosovës, për tre vitet e ardhshme.
Tutje, KPK ka miratuar edhe Planin e Punës dhe Planin e Personelit për vitin 2022, në të cilat janë paraparë objektivat të cilat synohet që të arrihen nga KPK-ja dhe Sekretariati, gjatë këtij viti kalendarik.
Dokument tjetër i cili u miratua nga anëtarët e KPK-së ishte edhe Rregullorja për Zgjedhjen dhe Përfundimin e Mandatit të Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.
GLPS/Drejtësia Sot ka marrë pjesë në takimet e grupit punues dhe në vazhdimësi ka dhënë rekomandime dhe komente gjatë draftimit të këtij akti nënligjor.
Më pas, KPK mori vendim që të propozojë tek Presidentja lirimin nga detyra të katër prokurorëve të shtetit, Remzush Latifi, Shaban Spahiu, Ali Uka dhe Haxhi Sinanaj, të cilët pensionohen gjatë muajit mars 2022.
Po ashtu, në këtë takim është miratuar raporti i Komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve, me ç’rast u vendos që prokurorja Suada Hamza, nga data 1 mars 2022, të avancohet në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Pa praninë e mediave, KPK kishte në rend të ditës të shqyrtonte raportin e rivlerësimit të performancës së një prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe raportet e paneleve hetimore për tri raste disiplinore.
GLPS/Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për takimet e KPK-së, link:
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus