Nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur takimin e 278-të më radhë, raporton “Drejtësia Sot”.
Fillimisht, anëtarët e KGJK-së kanë shqyrtuar dhe aprovuar ekstraktin e procesverbalit të takimit paraprak, e më pas kanë vazhduar me përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve mbikëqyrës në degën e Novobërdës, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Më këtë rast u vendos që gjyqtarë mbikëqyrës në degën e Novobërdës të emërohet gjyqtari Gazmend Ajvazi, në degën e Leposaviqit, gjyqtarja Tatijana Virijevic, ndërsa në degën e Zubin Potokut, gjyqtarja Dragica Jakovljevic.
Mandati i të tre gjyqtarëve mbikëqyrës fillon nga data 1 mars 2022, në kohëzgjatje prej 5 vitesh dhe pa mundësi rizgjedhjeje.
Më pas, KGJK ka shqyrtuar raportin e panelit për përzgjedhjen e kandidatëve për 11 pozita për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit. Nga të dhënat zyrtare të siguruara nga “Drejtësia Sot”, fillimisht për këto pozita kishin aplikuar 44 kandidatë, ndërsa vetëm 30 gjyqtarë e kanë përfunduar intervistimin për shkak se 14 të tjerë ishin tërhequr nga gara.
Nga kandidatët që e kanë përfunduar intervistimin, KGJK ka votuar listën e kandidatëve të rekomanduar nga Paneli.
Në këtë listë bëjnë pjesë gjyqtarët Hajriz Hoti, Malsor Kryeziu, Franciska Zhitija-Ymeri, Naim Meholli, Ardian Ajvazi, Hidajete Gashi-Alaj, Faton Bajrami, Besnik Bislimaj, Besink Feka, Fatmir Baloku dhe Ylber Shurdhiqi, duke vendosur që të njëjtit të avancohen në Gjykatën e Apelit nga data 1 mars 2022.
Më pas, KGJK ka marrë vendim edhe për shpalljen e konkursit të brendshëm për tre pozita tjera për gjyqtar në Gjykatën e Apelit, me ç’rast janë caktuar edhe anëtarët e Panelit për Intervistim dhe Rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve.
Mbledhja ka vazhduar me shqyrtimin e mandatit të disa anëtarëve të komisioneve të përhershme dhe ad hoc të KGJK-së, përfshirë këtu Komisionin për Çështje Normative dhe Komisionin për Administrimin e Gjykatave.
KGJK në këtë takim ka marrë vendim edhe për shpalljen e konkursit dhe themelimi i Komisionit për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për certifikim të përkthyesve dhe interpretëve gjyqësor.
Tutje, Këshilli ka themeluar grupet punuese për planin e veprimit lidhur me implementimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale dhe atë për ndryshim të Rregullores Nr. 08/2019 për përdorimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve.
Mbledhja ka vazhduar edhe me themelimin e grupit punues për hartimin e Rregullores të brendshme për menaxhimin e pasurisë jo financiare dhe materialit shpenzues në KGJK dhe Gjykata, ndërsa është shtyrë për takimet e radhës themelimi i grupit punues për standardizimin e formave të vendimeve procedurale.
Vendim tjetër që mori KGJK ishte edhe shpallja e interesimit për transferim të përhershëm të gjyqtarëve në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës si dhe u aprovua rekomandimi që deri më 30 qershor 2022, të shtyhet afati për përmbushjen e fondit të ditëve për trajnime të gjyqtarëve, për vitin trajnues 2021.
Më pas, KGJK ka aprovuar propozimin e Kryetares së Gjykatës Themelore Prishtinë, Albina Shabani – Rama, lidhur me ndryshimin e planit të punës për vitin 2022.
Këshilli aprovoi kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, për lirimin e gjyqtarit mbikëqyrës në Degën e Rahovecit, Ilir Rashkaj, pasi që i njëjti do të caktohet si gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Lidhur me këtë, anëtarët aprovuan shpalljen e konkursit për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Degën e Rahovecit.
Po ashtu, u caktua Komisioni Vlerësues për intervistimin, vlerësimin si dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.
Tutje, u aprovua njoftimi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK-së për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hanefi Jashari dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Prenk Palushi.
Në vazhdimin e këtij takimi, anëtarët e Këshillit aprovuan Planin e përgjithshëm të Personelit për Administratën Gjyqësore për vitin 2022, që përfshin të gjitha nivelet e gjykatave, Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor dhe Njësinë për Inspektim Gjyqësor.
Anëtarët shqyrtuan rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të datës 18 shkurt 2022, me ç’rast Këshilli aprovoi rekomandimin për shndërrimin e pozitave të punonjësve teknik-mbështetës të sistemit gjyqësor në pozita profesionale si dhe rekomandimin për harmonizimin e pagave dhe pozitave të Sekretareve Juridike që kanë kualifikim arsimor “Jurist i Diplomuar” me kolegët e tyre Zyrtar Ligjor 1.
Mes tjerash, u aprovua ndryshimi dhe plotësimi i vendimit KGJK.nr.313/2021, të datës 01.11.2021, sa i përket Komisionit Profesional për Vlerësimin e Përmbarimit me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Nenad Lazic. Këshilli miratoi aplikacionin për pozitë të gjyqtarit porotë si dhe dy formularët e vlerësimit nga anëtari dhe komisioni për intervistë për gjyqtar porotë.
Anëtarët aprovuan Protokollin për referimin e rasteve në ndërmjetësim, duke përfshirë njoftimin për paditësin dhe të paditurin për referimin e rastit në procedurë të ndërmjetësimit.
KGJK miratoi Memorandumin e bashkëpunimit me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), ndërsa u vendos që në takimet e radhës të shqyrtohet Memorandumi i bashkëpunimit me Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.
Kryesuesi Zogaj njoftoi lidhur me përfundimin e mandatit të gjyqtarit Cerim Fazliji si anëtar i KGJK-së, m ç’rast të njëjtit i dhuroi mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributin dhe angazhimin e tij gjatë periudhës si anëtar i Këshillit.
Këshilli vazhdoi takimin me pikat e mbyllura ku përfshihej themelimi i Penelit Hetimor për lëndën disiplinore NR.AD/KGJK/05/2022/GJTHM-AD-GHTHM.nr.02/2022, vazhdimi i seancës dëgjimore në lëndën disiplinore – Nr.AD/KGJK/09/2021/ GJTHPR-AD/GJTHPR/40/21 dhe shqyrtimi i raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor NR.AD/KGJK/11/2021/GJTHGJL-ADGJL.nr.03/2021.
GLPS/”Drejtësia Sot” në vazhdimësi raporton për takimet e KGJK-së, link:
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus