Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Granit Elshani, raporton “Drejtësia Sot”. Elshani po akuzohet për veprat penale vrasje të rëndë, tentim të vrasjes së rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim i paautorizuar i armëve.
Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari Granit Elshani tregoi se në vitin 2000 ia kanë vrarë vëllain V.E, ku aty ishte plagosur edhe ai në kokë dhe krah, kurse babin ia kishin vrarë në vitin 2004. Po ashtu, i akuzuari deklaroi se në vitin 2006 kishte shkuar në Zvicër tek familjarët e tij, ku ka punuar dhe ka qëndruar deri në vitin 2009.
Ndërsa, arsye e ardhjes nga Zvicra në dhjetor të vitit 2009 ka qenë nxjerrja e dokumenteve nga Serbia për shkak se me këto dokumente mund të udhëtonte pa vizë.
Tutje, Elshani theksoi se ditën kur ka ndodhur ngjarja paradite kishte qenë në shtëpinë e tij në fshatin Ozdrim dhe mbas dite ka shkuar tek halla e tij në fshatin Ramun, ku kishte takuar të gjithë familjen e hallës së tij.
I akuzuari gjatë mbrojtjes së tij shtoi se në momentin kur kishin hyrë policia në shtëpinë e hallës së tij në fshatin Ramun, ai ka qenë në gjumë dhe se pas bastisjes iu kishte gjetur arma nën jastëkun ku ishte duke fjetur.
Madje, i akuzuari Granit Elshani deklaroi për vrasjen që kishin ndodhur natën e 2 janarit për e kishte kuptuar në korridorin e stacionit policor ku ishte duke pritur për tu intervistuar nga policia.
Ndërsa, i pyetur për raportet me Valdet Kelmendin, i akuzuari deklaroi se të njëjtin e ka njohur pasi që ishin në të njëjtë shkollë dhe se raportet e tyre kanë qenë të mira.
Kurse, sa i përket dorëzimit të tij në polici në vitin 2016, Elshani theksoi se është kthyer për hir të vrarit B.Sh., dhe familjes së tij dhe me ju tregu se nuk ka të bëj me këtë çështje. Meqenëse ishte përfundimi i orarit të punës, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari njoftoi se seanca radhës do të mbahet me datën 23 shkurt ku do të vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.
Aktakuza më tutje shpjegon se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabin, i cili ishte pranë tij.
Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast
MONITORUESE: QENDRESA BYTYQI
Lajmet në fokus