Ish-zyrtari i Postës së Kosovës mohon akuzën e përvetësimit të 71 mijë eurove, deklaron se posta nuk ka pasur mungesë të parave

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

13:02 / 24 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ish-zyrtari i Postës së Kosovës, Enver Ajeti, ka mohuar në tërësi akuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e cila e ngarkon atë për përvetësim në detyrë, raporton Drejtësia Sot.

Ajeti akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, kontrollor i zyrës postare në regjionin e Podujevës – Posta e Kosovës, nuk kishte dorëzuar në bankë pazaret ditore gjatë një periudhe kohore, në vlerë prej më shumë se 71 mijë euro.

Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ajeti ndër të tjera tha se nuk e ndien veten aspak fajtor sepse në pikën postare ku ka punuar nuk ka pasur mungesë të mjeteve monetare siç pretendon aktakuza.

Ndryshe, para se të jepej mbrojtja nga ana e të akuzuarit, u bë vazhdimi i ballafaqimit të tre ekspertëve financiar Xh.K, R.B dhe R.I., ndaj të cilëve parashtruan pyetje trupi gjykues.

Ata sërish qëndruan prapa ekspertizave që i përfaqësuan, ashtu që ekspertët Xh.K. dhe R.I. pretenduan se nuk ka pasur mungesa të mjeteve monetare, ndërsa eksperti R.I. potencoi se ka mungesë dhe elaboroi mendimin e tij profesional për këtë çështje.

Gjyqtari i rastit, Alban Ajvazi, seancën e radhës ku pritet që palët të paraqesin fjalën përfundimtare e caktoi më datë 28 shkurt 2022.

Kujtojmë se, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë rast në rigjykim për arsye të ekspertizave financiare sepse nuk kishin qenë të qarta në shumën e përvetësuar nga i akuzuari.

Ndryshe, sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurori Shkëlzen Ibrahimi, Enver Ajeti akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, kontrollor i zyrës postare në regjionin e Podujevës – Posta e Kosovës, i cili ka pasur për detyre menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare te arkës, nuk ka dorëzuar në bankë pazaret ditore gjatë periudhës kohore 26.04.2013 dhe 02.05.2013. Sipas aktakuzës këtë veprim i akuzuari e ka bërë për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe nga arka ka përvetësuar shumën prej 71.744,85 Euro.

Me këto veprime i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët

Monitoruar nga Rinon Arifi