Ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, D.J., është dëgjuar si dëshmitar në gjykimin ndaj gjashtë të akuzuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq në janar të vitit 2018, i cili po zhvillohet Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, raporton Drejtësia Sot.
Në këtë rast Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisa Markoviq, Zarko Jovanoviq dhe Rade Basara, po përballen me akuzën për krim të organizuar, korrupsion dhe armëmbajtje pa leje.
Në seancën e sotme përveç ish-kryetarit të Leposavicit, si dëshmitare është dëgjuar edhe personi me inicialet R.R. Mirëpo deklaratat e tyre nuk do të publikohet nga ana e monitoruesve dhe mediave, për arsye se gjyqtari i rastit, Valon Kurtaj, në seancën e datës 30.08.2021 ka ndaluar publikimin e deklaratave të dëshmitarëve për shkak se ka konsideruar se ky veprim po dëmton procedurën penale.
Sipas tij, publikimi i deklaratave të dëshmitarëve po ndikon në dëshminë e personave tjerë që janë thirrur si dëshmitarë me radhë. Përveç kësaj ai kërkoi nga monitoruesit dhe mediat që në raportimet e tyre të iu referohen dëshmitarëve vetëm me inicialet e tyre.
Vlen të theksohet se me vendimin e fundit, Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktin akuzues me ç’rast ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e gjykimit kryesor në këtë rast.
Në vendimin e hartuar nga ana e kolegjit shqyrtues të përbërë nga kryetarja Afërdita Bytyçi dhe anëtarët Xhevdet Abazi dhe Kreshnik Radoniçi, thuhet se pretendimet ankimore të mbrojtësve të akuzuarve lidhur me aktvendimin e themelores për refuzimin e kërkesave për hedhjen e aktakuzës nuk qëndrojnë. Ky kolegj i Departamentit Special, ka sqaruar se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë, ngase ekzistojnë prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat i ngarkon aktakuza.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, më datë 11.02.2020, fillimisht ka mbajtur seancën fillestare ku gjashtë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa të akuzuarit Nedlko Spasojeviq dhe Dragisha Markoviq kishin pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Pas paraqitjes së kërkesave për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, gjyqtari i rastit Valon Kurtaj, kishte refuzuar këto kërkesa të mbrojtjes dhe pastaj lënda ishte trajtuar nga Gjykata e Apelit, e cila duke vepruar sipas ankesave të avokatëve mbrojtës, ka anuluar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka kthyer çështjen në rivendosje.
Në vendimin e Apelit thuhej se në aktakuzën e prokurorisë nuk janë përcaktuar si duhet rrethanat konkrete në të cilat është kryer vepra penale, por më shumë paraqet përshkrim të dispozitës së nenit 283 të KPRK-së, i cili sqaron veprimet që formojnë elementet e veprës penale të krimit të organizuar.
Pas kthimit në rivendosje nga Apeli, gjykata e shkallës së parë përsëri ka mbajtur seancën fillestare në të cilën të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm sa i përket vrasjes së politikanit Ivanoviq. Kurse dy nga të akuzuarit, Nedelko Spasojeviq dhe Zharko Jovanoviq kishin pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, e cila përfaqësohet nga prokurori Burim Çerkini, të akuzuarit Nedelko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markovic, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedelko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Akakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast në vazhdimësi
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus