Sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë-Departamenti i Krimeve të Rënda është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Hasan Selimit, i akuzuar për veprën penale “Dhënia e ryshfetit.
“Drejtësia Sot” raporton se pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava, i akuzuari Selimi pranojë fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi prokurori Tmava e as kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radoslav Markovic, i cili konstatoi se ky pranim i fajësisë është bërë me vullnet të plotë nga i pandehuri, duke i kuptuar edhe rrethanat të cilat paraqiten me rastin e pranimit të fajësisë.
Më këtë rast, gjyqtari Markovic bëri të ditur se aktgjykimi ndaj të akuzuarit Selimi do të shpallet më datë 18 shkurt 2022, në ora 13:15.
Ndryshe në seancën e sotme nuk kanë prezantuar Vlora Ibrahimi, e cila akuzohet për “Marrje ryshfeti” e “Falsifikim të dokumentit zyrtar” dhe Donika Sylejmani, e cila akuzohet për “Falsifikim të dokumentit zyrtar”.
Lidhur më këtë çështje, para deklarimit rreth fajësisë nga i akuzuari Selimi, gjyqtari i çështjes Radoslav Markovic mori aktvendim për veçimin e procedurës penale ndaj të akuzuarave Ibrahimi dhe Sylejmani.
Lidhur me veçimin e procedurës ndaj dy të akuzuarve të tjera, nuk pati kundërshtim nga ana e prokurorit Tmava e as nga i akuzuari Selimi.
Përveç këtyre tre të akuzuarve, pjesë e aktakuzës ishte edhe i pandehuri Kujtim Shaqiri, për të cilin më herët gjykata e kishte veçuar procedurën penale.
Sipas aktakuzës, Hasan Selimi, në fund të muajit tetor 2016, ua jep 300 euro Vlora Ibrahimit – pronare e auto shkollës “Klinton” dhe NN personit, me qëllim që i njëjti të kryej procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.
Me këto veprime sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Selimi ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Referuar aktakuzës së datës 9 qershor 2021, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i akuzon Hasan Selimin, Vlora Ibrahimin, Donika Sylejmanin dhe Kujtim Shaqirin, lidhur me veprimet inkriminuese të tyre sa i përket procedurës së pajisjes me patentë shofer të kategorisë “B” për të pandehurin Selimi.
Kësisoj, organi i akuzës pretendon se Hasan Selimi, në fund të muajit tetor 2016, ua jep 300 euro Vlora Ibrahimit – pronare e auto shkollës “Klinton” dhe NN personit, me qëllim që i njëjti të kryej procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.
Ndërsa, e akuzuara Vlora Ibrahimi, në cilësinë e personit zyrtar – pronare e auto shkollës, në bashkëpunim me NN personin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, ka pranuar shumë prej 300 euro nga i pandehuri Selimi dhe premtimin se do të marr edhe 500 euro të tjera, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme t’i kryej procedurat për pajisjen me patentë shofer të kategorisë “B” për të pandehurin Selimi.
Sipas Prokurorisë, e akuzuara Ibrahimi, në këmbim të të hollave të pranuara, ka mundësuar mbajtjen e orëve praktike dhe teorike, e më pas ka lëshuar një vërtetim të datës 30 nëntor 2016, mbi aftësimin e kandidatit – të akuzuarit Selimi, edhepse ai nuk i kishte ndjekur ato orë.
Me këto veprime, e akuzuar Ibrahimi ka përgatitur dosjen e kandidatit si të vërtetë, për ta proceduar në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë, me ç’rast sipas Prokurorisë e njëjta ka kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”
Sa i përket veprimeve inkriminuese të të akuzuarës Donika Sylejmani, e njëjta akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, pasi që si instruktore e vozitjes pranë auto shkollës “Klinton”, në Mitrovicë, në dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, ka mbajtur orët praktike nga 18 deri më 29 nëntor 2016, duke e vërtetuar me nënshkrimin e vet si dhe në dokumentin “Vërtetim” të 30 nëntorit 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, duke nënshkruar se është aftësuar kandidati Hasan Selimi, ku ky i fundit në polici ka mohuar se ka mbajtur këto orë praktike.
Kurse, ndaj të akuzuarit Kujtim Shaqiri, Prokuroria pretendon se më 31 janar 2017, në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë, në ditën e provimit teorik për patentë shofer, ka tentuar të vë në lajthim organin kompetent ashtu që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.
I akuzuari Shaqiri kishte tentuar të hyjë në test teorik për kategorinë “B” në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë për kandidatin Hasan Selimi, me qëllim që personi zyrtar të vendos në regjistër kinse Selimi ka kryer testin teorik, ashtu që me dokumentin e rrejshëm – letërnjoftim të falsifikuar në të cilin ka qenë e vendosur fotografia e tij kishte vendosur të dhënat personale të të akuzuarit Hasan Selimi.
Po ashtu, i akuzuari Shaqiri, në ditën dhe vendin e njëjtë, me vetëdije kishte përdorur dokumentin publik – Letërnjoftimin e falsifikuar në emër të Hasan Selimit, ashtu që të njëjtin ia ka prezantuar personit zyrtar pranë njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë edhe pse e ka ditur se i njëjti është i falsifikuar.
Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, këtij të akuzuari i vihen në barrë veprat penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus