Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor i gjykimit ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës të akuzuar për rastin e vjedhjes së 2 milion eurove nga thesari i shtetit, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtari Arben Hoti, u procedua me deklarimin e të pandehurit tjetër Kadri Shala rreth fajësisë si dhe fjalën hyrëse të palëve.
Kështu, pasi i akuzuar Shala u deklarua i pafajshëm nga gjitha pikat e aktakuzës, gjykimi më pastaj vazhdoi me aktvendimin e trupit gjykues me të cilin iu refuzua pranimi i fajësisë të akuzuarit Labinot Gruda për veprën e shpërlarjes së parave të kryer në bashkëkryerje me Kadri Shalën.
Pas këtij refuzimi të fajësisë, reagoi avokati Tahir Rrecaj avokati i Labinot Grudës, i cili i kërkoi gjykatës sqarime dhe arsyetime mbi cfarë baze nuk u pranua fajësia për këtë pike të aktakuzës. Po ashtu, edhe Prokurori i rastit Valdet Gashi, reagoi vetëm me fjalët se e mbështet fjalën e avokatit Tahir Rrecaj.
Pas këtyre reagimeve, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti dha përgjigje të shkurtër duke theksuar se gjykata vlerësoi rrethanat e rastit dhe duke marrë për bazë vështirësimin e pozitës për të pandehurin tjetër.
Gjykimi më pastaj vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve ku nga prokurori Valdet Gashi u theksua fakti se me provat personale dhe materiale që janë të paraqitur në këtë aktakuzë do të vërtetohet fajësia dhe përgjegjësia e të pandehurëve në fjalë, kurse nga mbrojtja e të akuzuarëve u pohua e kundërta e saj.
Seanca e radhës për këtë rast vazhdon më date 4 e 5 prill 2022 ora 9 e 30 minuta.
Kujtojë se në seancën fillestare të mbajtur më date 11 shkurt 2022, Labinot Gruda kishte pranuar fajësinë për tre pika të aktakuzës, ndërsa morri vendim se lidhur me pikën e katërt të aktakuzës, do të vendoset pas deklarimit të të pandehurit Kadri Shala, meqenëse ajo vepër është kryer në bashkëkryerje.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i pandehuri Labinot Gruda akuzohet se si person zyrtar, menaxhër i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndërhyrë në ndarjen buxhetore. Këtë gjë kontrektisht e ka bërë duke ndërhyrë në kërkesat e hapura të Ministrisë së Infrastrukturës për projektet kapitale, rehabilitimin e rrugëve Zhur-Dragash në vlerë prej 330,092.00 euro, Prizren-Prevallë në vlerë prej 750,000.00 euro, Prizren-Prevallë në vlerë prej 375,000.00 dhe projektin Prishtinë-Mitrovicë në vlerë prej 622,903.90 euro, dhe ka transferuar shumën prej 2,077,995.90 euro në llogarinë bankare 2024000176462178 në TEB Bank në emër të “LDA GROUP” SH.P.K.
Aktakuza tutje shpjegon se, për të bërë këto transfere Labinot Gruda ka përditësuar klasën funksionale të tij në SIMFK, duke i mundësuar vetes regjistrimin e operatorëve ekonomik. Më pas Gruda ka regjistruar operatorin ekonomik “LDA GROUP” SH.P.K me numër të llogarisë bankare 2024000176462178 në TEB Bank. Po ashtu, ai ka krijuar përdorues fiktiv dhe nëpërmjet tyre ka bërë bartjen e shumave të lartëcekura.
Për këto veprime Labinot Gruda akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”,”Hyrje në sistemet kompjuterike” dhe ”Vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes”.
Ndërsa, sipas aktakuzës, i pandehuri Kadri Shala akuzohet se, si i autorizuar ligjor i kompanisë “LDA GROUP” SH.P.K, ka kryer veprën penale “Ndihmë” duke i dhënë në dispozicion të pandehurit Labinot Gashi të dhënat e plota të subjektit juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare në TEB Bank.
Gjithmonë sipas aktakuzës të pandehurit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërlarje të parave”, në atë mënyrë që me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, levizjes ose pronësisë së parave të transferuara, në mënyrë të kundërligjshme, kanë bërë pagesa në emër të kompanisë “LDA GROUP” SH.P.K kinse për punët e kryera për Institucionët e Republikës së Kosovës, përkatësisht riparimin e rrugëve.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga: Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus