Gjykata Themelore e Pejës pranë Departamentit për Krime të Rënda, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit Veton Turjaka, raporton Drejtësia Sot.
Prokuroria e Pejës, Turjakën në cilësi të zyrtarit doganor po e akuzon për dy vepra penale atë të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Marrjes së ryshfetit. Bashkë me Turjakën i akuzuar është edhe Shefqet Gusturanaj, i cili ngarkohet me veprën Dhënie ryshfeti për të cilën e ka pranuar fajësinë që në shqyrtimin fillestar.
Ky vendim i Gjykatës së Pejës vije pas anulimit të vendimit të datës 21.01.2022 dhe kthimit në rivendosje nga ana e Gjykatës së Apelit.
Sipas vendimit të datës 16.02.2022, të siguruar ekskluzivisht nga Drejtësia Sot, Gjykata Themelore e Pejës duke vepruar sipas sugjerimeve të Apelit, vlerëson se në këtë fazë të procedurës ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Tutje, në arsyetim të këtij vendimi thuhet se sa i përket pretendimeve të mbrojtjes së me rastin e marrjes në pyetje të dy dëshmitareve në prokurori nuk u janë komunikuar të drejtat, ky komunikim nuk qëndron ngase në procesverbalin mbi marrjen në pyetje shihet qartë së prokurori i ka njoftuar se janë të liruara nga obligimi për të dëshmuar, mirëpo që ajo me dëshirë janë deklaruar. Në fund të këtij vendimi, thuhet se gjykata ka ardhur në përfundim se mbrojtësi nuk ka ofruar argumente bindëse që e mbështesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ndërsa prokuroria ka vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale, andaj edhe është vendosur si në dispozitiv.
Kujtojmë që Gjykata Themelore e Pejës me datën 21.01.2022, kishte marrë aktvendim, me të cilin e ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës nga ana e mbrojtësit të të pandehurit Veton Turjaka, avokatit Kujtim Kërveshi, si të pabazuar. Lidhur me këtë vendim avokati Kërveshi kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljes së dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Tutje, ankesën e mbrojtësit Kërveshi, me vendimit e datës 10.02.2022, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar si të bazuar si dhe sipas detyrës zyrtare e kishte anuluar vendimin e Gjykatës së Pejës të datës 21.01.2022, dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje. Sipas arsyetimit të Apelit, ndër të tjera thuhet se Gjykata e Pejës vetëm kishte konstatuar se ekzistonte dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari kishte kryer veprën penale por pa vlerësuar se cilat ishin ato prova.
Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë për këtë rast, ndërsa që aktakuzën e plotë mund ta gjeni në këtë link.
Monitoruar nga Blerta Kelmendi
Lajmet në fokus