Gjykata e Pejës cakton masën e paraburgimit ndaj 16 të dyshuarve për veprën penale të fajdes dhe detyrimit

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

11:22 / 24 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve K.K, I.C, S.D, B.M, D.P, F.ZH, T.A, A.G, P.K, V.K,  A.B, L.E, SH.M, O.L, S.J dhe A.K.

Sipas komunikatës për media e lëshuar nga Gjykata e Pejës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ka konstatuar se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë bëhet fjalë për vepra të rënda penale, ku për vepër penale fajdeja nga neni 331 par.3 të KPK-së është paraparë dënimi e burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet derisa për vepër penale detyrimi nga neni 328 par.2 të KPK-së, është paraparë dënimi e burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.

Tutje në komunikatë thuhet se duke pasur parasysh karakteristikat personale të pandehurve, sjelljen e tyre të mëparshme si dhe faktit se janë identifikuar viktima të tjera të veprave penale të kryera nga të pandehurit dhe janë duke u grumbulluar prova dhe dëshmi të tjera brenda dhe jashtë vendit, të gjitha këto rrethana janë të mjaftueshme për të besuar se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ose nën çfarëdo mase tjetër më të butë, ekziston rreziku i lartë se në çfarëdo mënyre do të fshihen dhe do t’iu shmangen organeve të ndjekjes, do të ndikojnë në viktimat e rastit, do të shkatërrojnë provat, të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre apo edhe të përfundojnë veprat për të cilat janë kërcënuar apo do t’i përsërisin veprat e njëjta penale.

Ndërsa në fund të komunikatës theksohet se kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Monitoruese:Selvije MORINA