Gjykata e Apelit, ka vendosur që të ndryshoj aktvendimin e shkallës së parë për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Lavdim Krasniqit, shoferit të tij Ardian Krasniqit dhe zyrtares Marigona Berisha të cilët akuzohen për korrupsion dhe disa vepra të tjera penale, raporton Drejtësia Sot.
Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte vendosur që ndaj Lavdim Krasniqi të hedh poshtë dy pika të aktakuzës dhe pushohet procedura penale për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën IV, si dhe për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën V të dispozitivit të aktakuzës.
Edhe për të akuzuarën Marigona Berisha për shkak të mungesës së aktvendimit për fillimin apo zgjerimin e hetimeve është hedhë poshtë aktakuza dhe pushon procedura penale për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, par.1 të KPRK-së, si në pikën VI të dispozitivit.
Por Gjykata e Apelit, duke vendosur mbi ankesat dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga palët, ka marrë aktvendim lidhur me pikën III nënpikën 1 të dispozitivit, ashtu që ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësi i të pandehurit Lavdim Krasniqi.
Mirëpo kjo gjykatë ka vendosur që të kthej në rivendosje dhe rishqyrtim këtë çështje sa i përket pikës III nënpikës 2 të dispozitivit ndaj të pandehurës Marigona Berisha lidhur me veprën penale “Blerja pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333 par. 1 i KPRK-së.
Kështu arsyetimi i zgjeruar dhe i detajuar i Apelit, sqaron mungesat dhe gabimet e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke theksuar se Gjykata e Apelit nuk mund t’i pranojë si të qëndrueshme dhe të mjaftueshme arsyet e dhëna nga gjykata kur ka vlerësuar hedhjen e aktakuzës nga pika V ndaj të pandehurit Lavdim Krasniqi.
Në këtë aktvendim thuhet se Gjykata e shkallës së parë është lëshuar në vlerësimin e provave kontradiktore, gjë që në këtë fazë të procedurës penale nuk mund të bëhet dhe nuk mund të konstatohet ekzistimi apo jo i pa/fajësisë, sepse kjo mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave në të cilat mbështetet dyshimi i bazuar mirë për ngritjen e aktakuzës.
Më pas kjo gjykatë ka shtuar se vepra penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare“ dyshohet të jetë kryer në bashkëkryerje në mes Lavdim Krasniqit me të pandehurën Flora Doda, për të cilën gjykata ka refuzuar hedhjen e aktakuzës, e që duke tejkaluar standardin e asaj që konsiderohet si dyshim i bazuar mirë, themelorja është lëshuar në elaborimin e provave materiale, duke vlerësuar fuqinë e tyre provuese duke iu referuar provave konkrete.
Sa i përket ankesës së mbrojtjes lidhur me disa nga provat mbi të cilat janë ndërtuar disa pika të aktakuzës, konkretisht pika III nënpika 2 i dispozitivit të akuzës, Gjykata Themelore u udhëzua që në rishqyrtim dhe rivendosje ti kthej këto pika në Prokurori, ku kjo e fundit pas hetimit për këto vepra penale dhe mbledhjes së provave, të vendos për ngritjen apo jo të aktakuzës.
Tutje Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë me të cilën kishte shpallur si provë të papranueshme transkriptimin e bisedës së bashku me CD e 26 shkurtit të marra në bazë të urdhëresës së gjykatës më 25 shkurt 2021.
Kujtojmë se në seancën fillestare të mbajtur më date 6 tetor 2021, të akuzuarit në fjalë e mohuan tërësisht fajësinë për veprat penale që iu ngarkoheshin nga aktakuza e Prokurorisë në Prishtinë.
Për zhvillimet e mëparshme në këtë rast, njoftohuni nga raportimet e Drejtësia Sot.:
Monitoruar nga Kujtim Kastrati
Lajmet në fokus