Me ftesë nga Jetish Maloku, Kryesues i Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka marrë pjesë në procesin e rishikimit të materialeve të pranuara nga aplikuesit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Drejtësia Sot.
Së bashku me z. Maloku, në këtë proces ishin prezent edhe UD Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, dhe UD Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, Ismije Maxhuni.
Më këtë rast u bë e ditur se kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Arben Ismajli – prokuror në Prokurorinë e Apelit, Armend Hamiti – prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Blerim Isufaj – Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Kujtim Munishi – Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Lulzim Sylejmani dhe Shqipdon Fazliu – prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Pas rishikimit të aplikacioneve të gjashtë kandidatëve, u konfirmua se të njëjtit i plotësojnë të gjitha kriteret e veçanta dhe ato të përgjithshme që kërkohen për të aplikuar për këtë pozitë.
YPo ashtu, z. Maloku theksoi se duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky proces, në vazhdimësi do të synohet që të ketë transparencë dhe bashkëpunim me të gjithë akterët që merren me monitorimin dhe që mbështesin punën e KPK-së.
Sipas Rregullores nr. 06/2019, për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës (Rregullorja), kjo listë e kandidatëve do të dërgohet në KPK, ku do të merret vendimi për konfirmimin e statusit të këtyre gjashtë kandidatëve.
Kujtojmë që vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e KPK-së, datë 12 janar 2022, pasiqë në muajin prill i përfundon mandati shtatëvjeçar Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Konkursi për këtë pozitë ka qenë i hapur nga data 17 janar deri më 4 shkurt 2021, dhe me rastin e aplikimit, kandidatët duhej të dorëzonin këto dokumente: formularin për aplikim, formularin për vetëvlerësim, formularin e koncept dokumentit për Kryeprokuror të Shtetit për menaxhimin e Institucionit të Prokurorit të Shtetit, certifikatën nga gjykata mbi evidencën penale dhe çfarëdo dokumenti tjetër relevant për të dokumentuar përvojën e tyre, përfshirë edhe rekomandimet.
Sipas Rregullores në fuqi, kriter i veçantë që duhet ta plotësojnë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit është që të kenë 8 vite përvojë pune si prokuror.
Ndërsa, në kuadër të kritereve të përgjithshme bëjnë pjesë: të jetë prokuror me mandat të përhershëm; të mos ketë të ngritur aktakuzë; të mos jetë i dënuar për vepër penale; të ketë vlerësim pozitiv të performancës në tri vitet e fundit; të mos ketë të shqiptuar sanksion disiplinor në pesë vitet e fundit, duke përjashtuar qortimin dhe vërejtjen jopublike; dhe të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet moral. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçarë, pa mundësi riemërimi. Ky proces është duke u monitoruar nga Projekti “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i implementuar nga GLPS dhe i financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus