Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Pejës, këtë të hënë ka vazhduar rigjykimi ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Pejës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
I akuzuar në këtë rast është Haki Kartallozi, të cilin Prokuroria e Pejës, e akuzon se përmes keqpërdorimit të pozitës, i ka sjellë vetës përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe njëkohësisht i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, në shumën prej 18.275.98 euro.
Pasi u administruan provat materiale, gjykata ftoi të akuzuarin Kartallozi, që të jap mbrojtjen e tij. Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Gëzim Kollqaku, i akuzuari Kartallozi, tregoi për punën e tij në Drejtorinë për Komunitete dhe Kthim të bërë gjatë vitit 2016. Tutje, ai shtoi se më herët ka punuar edhe në Drejtoratin për Tatim në Pronë si zyrtar i tatimit në pronë. Në pyetjet e avokatit Kollqaku, lidhur me atë nëse i njeh dëshmitarët që kanë dëshmuar në këtë rast ai u përgjigj se i njeh vetëm si qytetar të Pejës asgjë më shumë dhe se me ta nuk ka pasur asnjë kontakt.
Më pas avokati i parashtroi pyetje lidhur me njohurit e tij në programin kompjuterik FreeKeylogger, për të cilin i akuzuari u përgjigj se nuk ka dijeni se çfarë është dhe se sipas dijenisë së tij nuk e di nëse ka qenë i instaluar në kompjuterin e tij.
Në pyetjet e tjera, nëse ka qenë në zyrën e dëshmitares M.L., në datat e cekura në raportin e ekspertizës, i akuzuari u përgjigj se nuk ka qenë asnjëherë në zyrën e saj në atë periudhë.
Ndryshe, kur erdhi radha e parashtrimit të pyetjeve nga ana e prokurorisë, prokurorja Lumturije Vuçetaj, e njoftoi gjykatën se sot gjatë seancën është pajisur me shkresa të lëndës sepse kjo ka qenë lënda e prokurorit Haxhi Sinanaj. Tutje, prokurorja Vuçetaj, shtoi se për të qenë korrekte me gjykatën është paraqitur në seancën e sotme, megjithatë e sheh të arsyeshme që kjo seancë të shtyhet pasi që kjo lëndë është më voluminoze dhe nevojitet më shumë përgatitje.
Drejtësia Sot, njofton se seanca e radhës për këtë çështje penale u caktu me datën 17 Mars 2022, në orën 09:00.
Kujtojmë se gjykimi ndaj Kartallozit, kishte përfunduar me aktgjykim dënues nga Gjykata e Pejës në janar të vitit 2020. Sipas këtij aktgjykimi Kartallozi ishte shpallur fajtor duke u dënuar me 6 muaj burgim efektiv. Mirëpo pas paraqitjes së ankesës nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Kartallozi, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta anulojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën ta kthej në rigjykim.
Gjithnjë sipas aktakuzës Kartallozi, akuzohet se përmes shfrytëzimit të programit “Free Keylooger” që shërben për zbulimin e fjalëkalimeve, ka marrë fjalëkalimin e kompjuterëve të dy zyrtarëve të Komunës së Pejës. Pas kësaj ai, përmes programit “Protax”, program që shërben për pagesat e tatimit në pronë, futet në sistemin kompjuterik të zyrtarëve të komunës dhe arrin të shlyej tatimin në pronë të disa tatimpaguesve duke i shkaktuar dëm Komunës së Pejës.
Drejtësia Sot, ka raportuar në vazhdimësi për rrjedhën e këtij rasti.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus