Dy zyrtarët e MI-së kërkojnë nga Apeli lirimin nga akuza për korrupsion

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

13:24 / 21 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe zyrtari tjetër Besim Tahiri, të cilët janë dënuar me burgim efektiv nga gjykata e shkallës së parë për keqpërdorim te detyrës zyrtare,  kanë kërkuar nga ana e Gjykatës së Apelit që të lirohen nga akuza apo rasti të kthehet në rigjykim, raporton Drejtësia Sot.

Bekteshi dhe Tahiri, ishin dënuar për akuzën e prokurorisë se gjatë vitit 2016 kishin keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të dhënies së një tenderi për rrugë një kompanie që kishte ofertuar me çmim më të lartë.

Këtë kërkesë ata e parashtruan në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit, e cila u udhëhoq nga kryetari Xhevdet Bislimi dhe anëtarët, Tomislav Petrovic dhe Afërdita Bytyci.

Gjatë kësaj seance, gjyqtarja referuese e kësaj lënde, Afërdita Bytyci elaboroi rrjedhën e procedurës penale në shkallë të parë dhe njoftoi se për këtë çështje penale kanë paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe të akuzuarit.

Sa i përket prokurorisë, ajo tha se këta të fundit kanë kërkuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohet sanksion më i lartë penal.

Ndërsa, ajo shkurtimisht elaboroi edhe ankesat e avokatëve mbrojtës, të cilët më pas edhe i prezantuan më gjerësisht pretendimet e tyre ankimore për shkeljet esenciale procedurale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljen e ligjit penal.

Mbrojtësit e të akuzuarve Bekteshi dhe Tahiri, avokatët Betim Shala dhe Adem Vokshi, theksuan se aktgjykimi i shkallës së parë ka të meta të mëdha dhe është i përfshirë në shkelje të shumta ligjore. Ata në detaje sqaruan pretendimet e tyre mbi këto shkelje, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që të akuzuarit ti lirojnë nga akuza apo rastin ta kthejnë në rigjykim.

Në këtë seancë nuk ishte prezent askush nga Prokuroria e Apelit, e cila kishte dërguar një parashtresë duke e mbështetur ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kujtojmë se sipas vendimit të shkallës së parë, të komunikuar nga kryetarja e trupit gjykues që gjykoi këtë çështje penale, gjyqtarja Fatime Dërmaku, të akuzuarit janë fajtorë për veprat penale që iu ngarkohen sipas aktakuzës, duke njoftuar se për këtë gjykata u shqipton secilit veç e veç dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri viteve, i cili do ekzekutohet pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Përveç kësaj, gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte thënë se ndaj të akuzuarve shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Gjithashtu, gjyqtarja njoftoi se të akuzuarit në mënyrë solidare obligohen që të kompensojnë dëmin të cilin ia kanë shkaktuar MI-së në vlerë prej më shumë se 29 mijë euro.

Ndërsa në fund të shpalljes së aktgjykimit, para se të potencojë këshillën juridike, gjyqtarja kishte obliguar të akuzuarit  që të paguajnë nga 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave si dhe 200 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ibrahim Berisha, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kurse Naim Sallahu akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

Në këtë akt akuzues thuhet se Xhelil Bekteshi kishte obliguar zyrtaren V.R, që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës së vërtetë 26.06.2016. Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu” i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte ofruar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në MI, kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit E.A që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, Besim Tahiri e kishte obliguar E.A që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni, në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.

Ndërsa, sipas aktakuzës së njejtë, Naim Sallahut i vihet në barrë vepra penale “falsifikim të dokumentit”, pasi që i njëjti me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale, kishte paraqitur dokument të falsifikuar tatimor kinse ka kryer obligimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Mirëpo procedura ndaj tij ka përfunduar për shkak të arritjes së marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, me të cilën ai është dënuar me 6 muaj burgim e që më pas iu është zëvendësuar me gjobë.

Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më herët këtë rast

Monitoruar nga Rinon Arifi