Ka vazhduar dëgjimi i tre dëshmitarëve të radhës në gjykimin për krim të organizuar lidhur me fajde ndaj Dalip Brahimit, Ismet Salihut, Bujar Gërbeshit, Rrahim Brahimit dhe Lulzim Berishës, raporton Drejtësia Sot.
Të njëjtit po akuzohen se duke vepruar si grup i organizuar kriminal dhe me strukturë të specifikuar, i kanë dhënë para me fajde në vlera të mëdha personave të ndryshëm në Prishtinë, duke filluar nga viti 2007 e deri në vitin 2018. Në seancën e sotme janë dëgjuar dëshmitarët P.P, Ç.B. dhe B.B..
Në seancën e sotme gjyqësore të udhëhequr nga gjyqtarët Shadije Gërguri kryetare, Vesel Ismajli e Mentor Bajraktari anëtar, së pari u procedua me dëgjimin e dëshmitarit B.Zh. i cili deklaroi se mbetët pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin gjyqësor të datës 31 janar 2020. Ndërsa dëshmitar tjetër G.B., gjatë dëshmisë së tij deklaroi se Dali Brahimin e ka njohur si kojshi dhe se me djalin e tij Rrahimin kanë qenë shokë të shkollës. Për më tepër i njëjti tha se ai dhe familja e tij nuk kanë marrë asnjëherë para nga Rrahimi e as prindi i tij Dalipi. Ndërsa, pohoi se kanë marrë para në mënyrë shoqeërore nga Bujar Gërbeshi dhe atë 2 a 3 por shuma e parave nuk i kujtohet.
Kurse dëshmitari i fundit L.B, gjatë dëshmisë së tij tregoi se i qëndron në tërësi deklaratës së dhënë në polici. Po ashtu pohoi se e njeh të akuzuarin Lulzim sepse kanë lidhje familjare dhe janë kusheri. Ai tha se nga viti 2016 janë bashkëthemelues të organizatës Dardanët që mbështetin Kosovën në gara sportive.
Në fund ai tha se i ka kryer 2 apo 3 herë shërbime Lulzimit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me organizimin e organizatës “Dardanët”.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje të dëshmitarëve seanca u ndërpre dhe e radhës u caktua më datë 14 mars 2020 ora 9 e 30 minuta.
Ndryshe, sipas aktakuzës, e cila përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare u kishin dhënë para me fajde të dëmtuarve B. Zh., S. B. dhe B.B. Ndër të tjera në aktakuzë thuhet se i dëmtuari B. Zh., prej vitit 2008 deri në vitin 2018, kishte marrë nga i akuzuari Dalip Brahimi të holla në shumën totale prej 165,914.00 euro, kurse i dëmtuari B. Zh., i kishte kthyer përmes transaksioneve bankare 599,000.00 euro.
Për pjesën tjetër të mbetur borxh i akuzuari Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve B. Zh dhe I. Zh., një lokal me vlerë prej 167,000.00 euro, tri (3) banesa në vlerë prej 146,805.00 euro dhe një veturë “Mercedes”, e krejt kjo pasuri e marrë nga i dëmtuari B.Zh. e tejkalon shumën prej 1 milion euro.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Brahimi, me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të hollave, së bashku me të dëmtuarin B. Zh. kishin nënshkruar një kontratë formale te noteri, kinse i akuzuari Brahimi i shiste të dëmtuarit B. Zh., një parcelë toke në shumë prej 1,001,200.00 euro, edhe pse këtë pronë i akuzuari e kishte blerë në vlerë prej 100,000.00 euro. Kurse i akuzuari Ismet Salihu, gjatë kohës së lartcekur kishte ushtruar ndikim tek të dëmtuarit B.Zh dhe I.Zh. për kthimin e mjeteve financiare.
Ndërsa i akuzuari Bujar Gërbeshi, sipas aktakuzës, në periudhën prej vitit 2007 deri me 20.12.2018, i kishte dhënë para me fajde të dëmtuarit A.M., në shumë rreth 10,000.00 euro, ndërsa ky i fundit ishte detyruar që atij t’ia kthejë shumën prej 10-30% në emër të kamatës për borxhin prej 10.000.00 euro. Andaj sipas prokurorisë të njejtin akuzohen se bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajde”.
Poashtu të pandehurit duke vepruar si anëtar të grupit kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë me të dëmtuarit e lartcekur, në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
Me çka të njejtit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i Organizuar”.
Kurse të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu, akuzohen se në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, me qëllim të përfitmit të kundërligjshëm pasuror në lokalin e tyre kishin organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetent shtetëror.
Andaj të njejtëve sipas aktakuzës, po iu vihet në barrë vepra penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Për këtë pikë të aktakuzës është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në mes të akuzuarve dhe prokurorisë.
Trupi gjykues në atë kohë në krye me gjyqtaren Albina Shabani-Rama, pas aprovimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë në mes të Prokurorisë dhe të pandehurve, Alban Gecit, i shqiptoi dënim me burg prej 6 muajsh, të cilit do të i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërkaq pjesa tjetër e dënimit do ti zëvëndësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 2000 eurosh.
Kurse për të pandehurit Ismet Salihu, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, të cilit poashtu do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Për të pandehurin Alban Geci, gjykata bëri edhe konfiskimin e 2061.5 eurove, një shtëpizë kompjuteri dhe disa dokumentacione.
Kurse për të pandehurin Ismet Salihu, konfiskohen dy pjesë përbërëse të armës dhe një telefon Nokia. Tutje, në pikën e fundit të dispozitivit të kësaj aktakuze përshkruhet se i akuzuari Lulzim Berisha e kishte ndihmuar të akuzuarin Gërbeshi, duke kontaktuar dhe ndërmjetësuar me të dëmtuarin A. M., ashtu që i njëjti i kishte kërkuar t’i përmbahet obligimeve që kishte ndaj të akuzuarit Gërbeshi. Andaj me këto veprime prokurora e ngarkon me veprën penale “Fajde”.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus