Mungesa e përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit ka bërë që përsëri të dështoj gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj.
Drejtësia Sot, raporton ish-drejtori Nerjovaj në Gjykatën e Prizrenit po gjykohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Lidhur me mungesën e përfaqësuesit të Komunës, kryetari trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani deklaroi se nuk ka prova se i njëjtë është ftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë gjyqësore.
Nga ky fakt, shqyrtimi kryesor gjyqësor nuk u mbajt, kurse seancat e radhës u caktuan për 03 dhe 09 mars 2022.
Ndryshe, ish-drejtori Nerjovaj po akuzohet se gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.
Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prizrenit, më 03 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor dhe e kishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, ish drejtorin e Inspektorateve Bujar Nërjovaj. Mirëpo rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku.
Drejtësia Sot, që nga fillimi ka monitoruar rrjedhën e këtij gjykimi:
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus