Dënohet me gjobë dhe i ndalohet pjesëmarrja në kontratat e prokurimit të akuzuarit që përfitoi tender me dokumente të rreme

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:17 / 07 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është shpallur aktgjykim dënues ndaj Jasmir Morina, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, raporton Drejtësia Sot.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi, i akuzuari Morina, është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,500 Euro, dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 180 ditëve (6 muaj), por që dënimi me burgim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3,600 Euro.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit në total i është shqiptuar dënim me gjobë në shumën 4,780 Euro.

Për më tepër, gjyqtari Thaçi, të akuzuarit Morina, i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, atë të ndalimit të marrjes pjesë procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit shtator, i akuzuari duke shkelur me vetëdije rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “ Rregullimi i nxehjes qendrore” në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik dhe kishte arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro.

Aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarit, në atë mënyrë që në dokumentacionin ofertues ka paraqitur diplomën e inxhinieres së arkitekturës F.K., duke e prezantuar si pjesë të stafit të kompanisë së tij “Tribune” Sh.P.K., pastaj duke e prezantuar një kontratë mbi vepër të cilën e ka nënshkruar në emër të F.K., duke përpiluar Cv dhe referenca me përmbajtje të rreme, të kompanisë së tij, gjithashtu kishte paraqitur edhe dy referenca të lëshuara nga kompanitë “GJK Keno” dhe “TIC Consulting” duke e prezantuar F.K., se kinse e njëjta në cilësinë e inxhinieres kishte qenë pjesë e stafit mbikëqyrës të këtyre dy kompanive.

Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, nga neni 415 parag. 3 lidhur me parag. 1 të KPRK-së.

Kujtojmë se i akuzuari Morina, fillimisht akuzohej edhe për veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, mirëpo meqë prokurori i çështjes në seancën e kaluar gjyqësore ka hequr dorë nga aktakuza për këtë vepër penale, është marr aktgjykim refuzues, gjegjësisht për të akuzuarin është refuzuar akuza.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi