Në Departamentin Special të Gjykatës Themelorë në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor me dëgjimin e dëshmitareve, në rastin ku Mendim Sojeva dhe Ganimete Ahmeti po akuzohen se kanë manipuluar me avanset e tërhequra të AKPPM-së, raporton Drejtësia Sot.
Prokuroria Speciale akuzon Mendim Sojevën dhe Ganimete Ahmetin, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” dhe veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, duke manipuluar me avancat për udhëtime të zyrtarëve të AKPPM-së.
Në seancën e sotshme para trupit gjykues të përbërë nga VeseL Ismaili kryetar, Violeta Namani dhe Suzana Qerkini anëtare, dhanë dëshminë dëshmitaret T.V., L.H., G.S. dhe N.LL.
Të gjitha dëshmitaret janë punëtore të AKPPM-ës, dhe në dëshminë e tyre ato shpjeguan procedurat e udhëtimit dhe tërheqjes së avanseve. Të pyetura nga prokurori special, Haki Geci, për një numër të avanseve të tërhequra në emër të tyre gjatë vitit 2017, të gjitha deklaruan se përveç udhëtimeve të cilat i kanë deklaruar ato nuk janë në dijeni për tërheqje të shumave tjera të avanseve. Tutje, ato deklaruan se avanset asnjëherë nuk i kanë tërhequr direct nga banka mirëpo ato ua ka dorëzuar Mendim Sojeva, sepase ai kishte qenë zyrtari financiar i vetëm për Agjensionin.
Seanca e sotshme përfundoi me dëgjimin e dëshmitares së fundit, dhe nesër me 11 Shkurt 2022 me fillim në orën 9:30 do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.
Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special Haki Gecaj, i pandehuri Mendim Sojeva si person zyrtar, në vazhdimësi, në periudhën kohore prej vitit 2014 deri në fund të muajit mars 2018, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë e luajtshme, paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare për zyrtarët e AKPPM-së, të cilat të pandehurit i janë besuar në menaxhim sipas pozitës së tij në kuadër të AKPPM-së.
Kështu, i pandehuri gjatë asaj periudhe kohore, në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, nga llogaria bankare e Ministrisë së Shëndetësisë, nga shuma e përgjithshme prej 1,355,441.14 €, të tërhequra nga zyrtari i MSH-së, F.K, e të cilat i ka pranuar i pandehuri Mendim Sojeva, duke nënshkruar në fletë tërheqje me rastin e pranimit e për shumën prej 1,221,501.14 €, nuk ka asnjë dëshmi në AKPPM, se janë respektuar procedurat për tërheqje.
PPoashtu, të pandehurit Mendim Sojeva dhe Ganimete Ahmeti, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, prej datës 07.02.2018 deri më 12.02.2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, në bashkëkryerje, në mënyrë të paautorizuar, përmes ueb shfletuesit (Internet Explorer) kanë hyrë në sistem kompjuterik SIMFK, të personave zyrtar të Ministrisë së Financave-Thesarit. Të njëjtit, në kompjuterin e regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë, duke keqpërdorur User-at (fjalëkalimet) e personave të tjerë, zyrtarë të Thesarit, të pandehurit ju kanë qasur sistemit SIMFK, kanë mbyllur avancat duke bërë regjistrimin si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtar të tërhequra nga banka gjatë vitit 2017, ne emër te zyrtarëve të AKPPM-së.
Kësisoj, me User në emër të B.M, më 07 shkurt 2018, kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 15 (pesëmbëdhjetë) kuponë shpenzimi në vlerë prej 20,850.00 €, ndërsa në emër të I.Sh., gjatë periudhës 08-12 shkurt 2018, kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare shtatëdhjetedy (72) kuponë shpenzimi në vlerë prej 154,736.84 €, në shumë të përgjithshme prej 175,586.84€, e të gjitha të certifikuara me User të M.S.
Ashtu që, janë munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga banka NLB, në emër te zyrtarëve të AKPPM, në kundërshtim me dispozitat ligjore e për të cilat nuk disponohet me dokumentacion në AKPPM, për arsyeshmërinë dhe lejimin e tërheqjes së tyre.
Me këto veprime, sipas PSRK-së, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1, të KPRK-së dhe veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike” nga neni 339 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus