Dëgjohet ish-zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, në rastin ndaj dy doktorëve të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Leutrim Makshana

14:35 / 23 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me dëgjimin e një dëshmitari, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Armend Aganit dhe Liljana Smiliq, të akuzuar për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.

Prokuroria Themelore në Prishtinë po akuzon Armend Aganin dhe Liljana Smiliq se kanë shfrytëzuar licencat e punës dhe dokumentacionin personal të disa doktorëve, për të marrë licenca për poliklinikën “Bel Medic International”.

Në seancën e sotme, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit ish-shefi i divizionit për licencim dhe akreditim të institucioneve shëndetësore I.SH.

Së pari, dëshmitari I.SH tregoi se për tu licencuar një institucion shëndetësor duhet ti prezantoj formularin e aplikimit, certifikatën e biznesit, pëlqimi sanitar, si dhe statutin e themeluesve së bashku me licencat profesionistëve.

Dëshmitari, tha se kriter për aplikim të licencës nuk mundë të jenë kontratat e punës të mjekëve dhe infermierëve pasi që kontratat nuk dorëzohen në ministri.

Tutje, dëshmitari sqaroi se për tu licencuar një poliklinikë-institucion shëndetësor duhet ti ushtroj tre veprimtari dhe të ketë mjekë dhe infermier profesional.

Po ashtu, ish-zyrtari i ministrisë tha se institucioni shëndetësor i licencuar mundë ta filloj punën  menjëherë dhe se për çdo ndryshim dhe plotësim të stafit duhet ta njoftoj divizionin për licencim dhe akreditim.

Ndër të tjera, ai tha se nuk mundë të ndodhë përdorimi i licencave të personelit shëndetësor pa dijeninë e tyre dhe se verifikimi i licencave të personelit shëndetësor bëhet vetëm kur ka dyshime.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, të akuzuarit Agani dhe Smiliq, deklaruan se do ta shfrytëzojnë të drejtën për mbrojtje në heshtje.

Më pas, mbrojtja e të dëmtuarave i propozoj gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen edhe A.A, Q.P dhe F.A.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi vendosi që propozimin e përfaqësuesit të të dëmtuarve ta aprovoj, ndërsa seanca e radhës u caktua të mbahet me 28 mars, me fillim nga ora 13:10, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e propozuar.

Ndryshe, Agani dhe Smiliq, po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, gjatë muajit nëntor 2017, kanë shfrytëzuar licencat e punës së të dëmtuarave T.L, K.M, E.P, pa dijeninë e tyre, me ç’rast ata kanë licencuar poliklinikën e tyre “BEL MEDIC INTERNATIONAL”, në Graçanicë, në repartin e stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në pikën dy të aktakuzës thuhet se të njëjtit, e kanë vënë në lajthim organin kompetent përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë për ta licencuar poliklinikën e tyre. Prokuroria pretendon se për ta licencuar repartin në fjalë ata e kanë shfrytëzuar edhe pozitën e tyre si persona zyrtarë dhe lidhur me këtë ata po dyshohen edhe për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së datës 17 shtator 2019, Agani dhe Smiliq, akuzohen se kanë kryer veprën penale të mashtrimit, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë, rrjedhën dhe zhvillimin e këtij rasti:

Monitoruar nga: Leutrim MAKSHANA