Aprovohet propozimi i mbrojtjes për dëgjimin e dy dëshmitarëve të tjerë në gjykimin ndaj ish kryetarit të Malishevës Ragip Begaj

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

16:24 / 15 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë departamentit special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vazhduar sot procesi gjyqësor ndaj ish kryetarit të komunës së Malishevës Ragip Begaj, raporton Drejtësia Sot.

Begaj po akuzohet nga Prokuroria Speciale se në kundërshtim me dispozitat ligjore ka përcaktuar lokacionin për ndërtimin e aneksit të shkollës-sallës sportive në këtë komunë, sallë kjo e cila nuk u ndërtua asnjëherë.

Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Namani, u procedua me dëgjimin e 2 dëshmitarëve të ftuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Kështu dëshmitarët A.M dhe V.M shkurtimisht u morrën në pyetje nga palët procedurale.

Dëshmitari A.M gjatë dëshmisë tha se i qëndroj në tërësi deklaratës në Polici dhe se si asambleist ka vërejtur se kryetari ka ndërruar linjat buxetore lidhur me projekte kapitale.

Mirëpo në fund të dëshmisë së tij ai tha se nuk beson se ka përfituar dikush financiarisht nga këto projekte.

Ndërsa dëshmitari V.M., deklaroi se nuk i kujtohej se ka dhënë deklaratë në polici, për raportet financiare tha se është dashur të informohet apo njoftohet kuvendi komunal.

Për raportet financiare ai tha se nuk e pasqyrojnë rrjedhjen faktike të projektit, përndrysha gjithashtu tha se nuk e din cilat janë detyrat e kryetarit në lidhje me bartjen e mjeteve nëpër linjën buxhetore. Në fund të gjykimit, pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, u administruan provat materiale si dhe u aprovua propozimi i avokatit Emrush Kastrati për dëgjimin edhe të dy dëshmitarëve A.Sh dhe M.M.

Seanca e radhës vazhdon më date 2 mars 2022, ora 9 e 30 minuta. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngritur më datë 7 prill 2021, Ragip Begaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar sepse siç thuhet në aktakuzë nga data 06.07.2018 – në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R., dhe buxhetit të komunes së Malishevës.

Gjithnjë sipas akuzës, i njëjti e ka kryer këtë vepër penale në atë mënyre që më datë 07.11.2018 ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc,që fillimisht i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të shkollës në fshatin Panorc ku një pjesë e objektit te shkollës ishte planifikuar të ndërtohet në prone private.

Sipas akuzës, krejt këto veprime të tij ishin në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të datës 04.05.2018 me nr. 02/135, vendim ky i cili kishte për qëllim që të ndërtohet aneksi i shkollës “Visar Krasniqi“-(sallë sportive) në fshatin Drenoc K. Malishevë, dhe i njëjti i kishte anashkaluar procedurat e Kuvendit Komunal të Malishevës, në kundërshtim edhe me nenin 11 të Ligjit nr. O4/-144 per dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, megjithatë, aneksi i shkollës– salla sportive nuk u ndërtua asnjëherë.

Më tutje sipas Prokurorisë i njëjti më datë 26.10.2018, ka nxjerr aktvendim per bartjen e mjeteve financiare nga nje program në një program tjetër apo nga një kod ekonomik në kundėrshtim me dispozitat e Ligjit 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, në atë mënyrë që mjetet financiare nga kodi investime kapitale, pa miratimin paraprak të MF i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime, e me pastaj të njëjtat mjete i ka përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë, pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast:

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku/ Lavderim Salihu